UT përfiton pajisje të reja laboratorike për laboratorin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit

Laboratori i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës sot u furnizua me pajisje të reja laboratorike me vlerë prej 200 mijë eurove. Këto mjete janë financuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave përmes Programit për zhvillim rural 2021.
Me këtë rast në prezantimin e pajisjeve laboratorike i pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, z. Arijanit Hoxha. Ai fillimisht u prit në takim nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit Prof. Dr. Xhezahir Idrizi si dhe prodekani për arsim i këtij fakulteti Prof. Dr. Xhabir Abdullahi. Palët diskutuan për shumë tema me interes të përbashkët mes dy institucioneve tona si dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me projekte konkrete të cilat do të ndihmonin jo vetëm sektorin e bujqësisë por edhe studentët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit qoftë në aspektin profesional apo edhe atë të kërkimit shkencor.
Pas përfundimit të takimit ata bashkërisht vizituan edhe laboratorin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së Prof. Dr. Shefik Shehu e falënderoi Qeverinë e Maqedonisë dhe ministrin Arijanit Hoxha për përkrahjen që i kanë dhënë këtij projekti kaq të rëndësishëm për Universitetin tonë. “Ne si Universitet ia shprehim mirënjohjen tonë Qeverisë së vendit dhe ministrit Hoxha për mbështetjen që i kanë dhënë Universitetit të Tetovës në vazhdimësi. Me shumë mburrje dhe krenari mund të themi se jemi krahë institucioneve tjera të arsimit të lartë simotra në vend dhe rajon për mbarëvajtjen e procesit jo vetëm didaktik – edukativ, por edhe të pjesës praktike këtu në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, e që në fakt këtë fillimvit akademik u mundëson studentëve tanë për të parë nga afër dhe për të bërë pjesën praktike tash më të prekshme me pajisje laboratorike shumë të avancuara bashkëkohore dhe jo vetëm. Ajo që na bën më krenarë është fakti se Universiteti i Tetovës tani është në epërsi për t’u dhënë shërbime edhe kapaciteteve tjera përpunuese të komunitetit të biznesit jashtë Universitetit të Tetovës. Është një sihariq, ne jemi mirënjohës dhe shpresojmë që UT përmes këtij laboratori por edhe laboratorëve tjerë të cilët janë në proces e sipër të rimëkëmbjes dhe mbindërtimit të kapaciteteve të tyre, të na pozicionojë aty ky e kemi vendin tonë, qoftë në hapësirën akademike por edhe në atë të kontributit tonë shoqëror” tha Prof. Dr. Shefik Shehu.
Ndërsa ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arijanit Hoxha tha se këto pajisje laboratorike të cilat i ndahen këtij laboratori përveç se do e ndihmojnë komunitetin akademik në përpunimin e analizave dhe rezultateve të ndryshme laboratorike, do jenë një ndihmesë e madhe edhe për komunitetin e biznesit dhe bujqit e Pollogut në përgjithësi. “Sot jemi këtu në laboratorin e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore për të parë ndihmën të cilën Ministria e Bujqësisë përmes Agjencionit për përkrahje financiare i ka mundësuar FTUU-së në kuadër të projektit për mbështetje të katër universiteteve, normalisht bëhet fjalë për pajisje që janë pjesë plotësuese e laboratorit ekzistues, që do të ndihmojë edhe universitetin por do të ndihmojë edhe bizneset respektivisht bujqit që të mund në kohë të rregullt të saktë dhe me informacione të detajuara të marrin informatat nga rezultatet laboratorike normalisht pas procesit të akreditimit. Bëhet fjalë për një ndihmë rreth 200 mijë eurove nga përkrahja financiare e zhvillimit rural. Normalisht ky është vetëm një fillim i mbështetjes që ne e japim si ministri për pjesën e shkencës. Nuk mund të ketë zhvillim as të bujqësisë e as të degëve të tjera pa fakte dhe argumente të përmbajtura në shkencë. Për mua veçanërisht është një kënaqësi e veçantë që kjo ndodh këtu në UT pas shumë viteve dhe uroj dhe shpresoj se nuk do të jetë i vetmi projekt, por në bashkëbisedim me udhëheqësinë e Universitetit të mund të zhvillojmë edhe projekte tjera të cilat do jenë në shërbim të studentëve, shkencës dhe normalisht të bujqësisë si një degë e veçantë dhe shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë në vend” – u shpreh mes tjerash ministri Arijanit Hoxha.
Duhet theksuar se, kontribut të veçantë në realizimin e projektit të lartpërmendur ka dhënë edhe udhëheqësi i tij, Prof. Dr. Ismail Ferati, ligjërues në FTUU në Universitetin e Tetovës.
Laboratori i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës me këto pajisje do të ofrojë shërbime shkencore – profesionale për stafin akademik, studiuesit shkencorë, bujqit dhe blegtorët në rajonin e Pollogut dhe më gjerë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *