Ganiu paralajmeron bum investimesh ne Çarshine e Vjetër

Kryetari i Komunës së Çairit dhe kandidat për këtë detyrë në 4 vitet e ardhshme, Visar Ganiu sot në Çarshinë e Vjetër takoi esnafët, para të cilëve dha llogaridhënie se çfarë komuna në drejtim të tij ka bërë për Çarshinë gjatë katër viteve të kaluara.

Sot po takohemi që të ju uroj se gjatë këtyre viteve kemi rregulluar 137 vitrina të dyqaneve të çarshisë. Këtë projekt e ka filluar Komuna e Çairit në kuadër të projekteve të saja për revitalizimin e çarshisë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në aspektin estetik. Të gjitha këto vitrina janë nga druri me ç’rast po përpiqemi të bëjmë largimin e të gjitha vitrinave nga plastika apo alumini me qëllim të kthimit të dukjes autentike dhe konceptit ekologjik të këtyre vitrinave”, tha Ganiu para enafëve.

Ganiu informoi se gjatë punimeve në disa dyqane është hasur edhe në vitrina të dëmtuara me të cilat kanë dëmtuar mbarëvajtjen e këtyre bizneseve.

“Qëllimi kryesor ka qenë ndihmesa ndaj esnafëve të Çarshisë dhe afirmimi i zanateve si biznese duke qenë se ato, sot rrezikohen nga industrializimi i egër dhe prodhimi serik. Në mandatin tjetër kemi paraparë edhe 450 vitrina të tjera ku do të arrihet ripërtërirja totale e Çarshisë”,deklaroi Ganiu.

Kryetari i Çairit, Visar Ganiu tha se ajo çfarë Shkupin e bën qytet është Çarshia.

“Çarshia është agora jonë. Ajo është zemra e Shkupit por edhe zemra e Çairit. Çarshia është manifestim qytetërimor. Kalatë dhe çarshitë e tregojnë për lashtësinë e këtyre qyteteve. Shpirti i çarshisë janë esnafi apo shtresat dhe profilet e ndryshme të zejtarëve. Çarshitë e vjetra të Ballkanit sot janë simbolet dhe shpirti i qyteteve antike në Ballkan. Çarshia është një kujtim i bukur i fëmijërisë sonë, por do të jetë një e ardhme dhe kujtim i ndritur i fëmijëve tanë. Për të, është kujdesur dhe të kujdeset në vazhdimësi Komuna e Çairit”, tha Ganiu.

Ganiu tha se paralelisht me rregullimin e vitrinave është restauruar kalldrëma e Çarshisë, ndërsa qasja për në Çarshi është lehtësuar dukshëm me parkingun e Bit Pazarit me 220 vend parkime.

Gjatë takimit me esnafët, mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi i cili tha se edhe Ministria e Ekonomisë do të vazhdon me projektin për restaurimin e vitrinave të dyqaneve në Çarshinë e Vjetër në Shkup.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *