Çfarë po ndodh me aplikacionet më të ndjekura në botë, Facebook, Instagram dhe Whatsapp, që nga ora 15.44 të ditës së sotme jo vetëm janë të paarritshme, por janë praktikisht “zhdukur” nga Interneti?
Krijesat e Mark Zuckenberg, që kanë miliarda ndjekës kudo në botë, prej orësh jo vetëm që nuk funksionojnë siç duhet, por praktikisht nuk janë aktive në internet.
Sipas ekspertëve, shkaku mund të jetë i brendshëm, praktikisht një gabim programimi në përditësimet e protokolleve që Facebook kryen në mënyrë periodike, që i ka zhdukur platformat nga sistemi i emrave të domeneve (DNS), praktikisht sistemi i kodimit të emrave të faqeve të internetit.
Humbjet reale në ekonominë globale deri më tani përllogariten në 160 milionë dollarë, por çdo orë që kalon ato mund të rritën, së bashku me protestat e klientëve. Diçka jo e thjeshtë nga momenti që nuk mungojnë as problemet konkrete, ku një pjesë e mirë e punonjësve të kompanisë nuk akseson dot në selinë qendrore sepse “pasi” i tyre i sigurisë nuk funksiononte më.
Kjo po ngre edhe dyshime në disa ekspertë, që mund të jetë pjesërisht edhe efekti i një sulmi kibernetik, për të cilin gjithsesi deri tani nuk ka asnjë provë ose gjurmë.
Kompania Facebook, që zotëron të tre platformat, ka humbur ndërkohë rreth 5% në bursë, praktikisht 7 miliardë dollarë në aksione të humbura nga aksioneri kryesor i kompanisë, pikërisht gjeniali Zuckenberg.
Ndërkohë rivalët nuk rrinë duarkryq. Platforma si Telegram, Viber dhe Twitter kanë rritur në mënyrë të ndjeshme kontaktet, por edhe dozën e ironisë. Themeluesi i Twitter, Jack Dorsey, iu përgjigj një përdoruesi që tregonte si për momentin adresa Facebook.com rezulton teorikisht në shitje, me një “sa kushton?”. Facebook për momentin duhet të “gëlltisë, duke kërkuar falje përdoruesve pikërisht në plaformat rivale.