Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për targat

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar se të dy palët kanë arritur një marrëveshje lidhur me krizën e shkaktuar së fundmi në pikëkalimet kuftitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Lajçak ka shkruar se pas dy ditësh negociata, është arritur marrëveshja që e de-eskalon situatan në veri të Kosovës.

Marrëveshja përmban tri pika, që përfshijnë zhbllokimin e rrugëve për në Jarinjë dhe Bërnjak duke filluar nga e shtuna.

Sipas marrëveshjes të arritur sot në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, më 2 tetor në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, një Grup Punues i përbërë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, dhe i kryesuar nga BE-ja do të krijohet për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave. Takimi i parë i Grupit të Punës është paraparë të mbahet më 21 tetor në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi i Punës do të paraqesë gjetjet e tij mbi një zgjidhje të përhershme.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *