Një numër i konsiderueshëm i trupave të KFOR-it janë parë sot në kufiri në Jarinjë e Bërnjak, për shkak se tash e 8 ditë po protestohet për heqjen e masës së reciprocitetit për targat. Në orët e paradites u raportua se do të ketë ndërhyrje nga ana e KFOR-it. Por këta të fundit kanë deklaruar se kanë rritur patrullime në gjithë Kosovën përfshirë edhe veriun.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar zëdhënësin e KFOR-it, Antonio Minutella për ta pyetur lidhur me situatën në veri dhe se a do të ketë ndërhyrje nga ana e tyre.
Minutella u shpreh se KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun e vendit. Teksa shton se kanë rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore.
“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, tha zëdhënësi i KFOR-it për Insajderin.