Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se faktori ndërkombëtar nuk do të duhej t’i mbyllë sytë para nxitjes që po bën Serbia ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës.
Kurti foli para medieve në Shkup ku po merr pjesë në forumin socio-ekologjik, ndërkaq u shpreh se Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizimin e tyre dhe korrektësinë.
“Është për të ardhur keq që grupe të ndryshme kriminale në Veri të Ibrit, por gjithnjë të nxitura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucione të shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj”, tha Kurti në kuadër të Forumit socio-ekologjik në Shkup.
Kurti ka thënë se edhe qytetarët serbë, boshnjakë e shqiptarë kanë dëshmuar durimin e tyre në atë pjesë të vendit.
“Qytetarët të ruajnë qetësinë, meqenëse individë e grupe kriminale nuk mund të ngadhënjejnë mbi shtetin tonë, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare, faktori ndërkombëtar do të duhej të mos i mbyllnin sytë para nxitjes që bën regjimi autokrat në Serbi ndaj qytetarëve të caktuar të Kosovës që ta luftojnë dhe kundërshtojnë shtetin tonë”, tha më tej Kurti.