Mësimdhënësit në Maqedoninë e Veriut po kërkojnë që të shkurtohen orët mësimore, pasi në shumë shkolla nuk ka kushte që të respektohen protokollet shëndetësore për mbrojte nga COVID-19, në bazë të cilave parashihet që numri maksimal i nxënësve në një klasë, të mos jetë jo më shumë se 24.
Plenumi i mësimdhënësve, kërkon që të shkurtohet kohëzgjatja e orëve me prezencë fizike, nga 45 në 30 minuta, pasi siç kanë sqaruar, mësuesit kanë vështirësi të mëdha në kryerjen e mësimit në ambiente të mbyllura, ndërkohë që duhet të respektojnë të gjitha protokollet e përcaktuara nga Komisioni për Sëmundjet Infektive, ku mbajtja e maskës është e detyrueshme gjatë tërë kohës si dhe sigurimi i distancës mes nxënësve.
Kësaj iniciative i është bashkuar edhe Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Jakim Nedellkov, në një intervistë për REL, thotë se sa më parë duhet gjetur një zgjidhje e cila do të jetë e përshtatshme si për nxënësit po edhe për të punësuarit në shkolla, duke ulur rrezikun nga përhapja e sëmundjes COVID-19.
“Që me vetë nisjen e vitit shkollor, pas javës së parë, konstatuam dhe i kërkuam Ministrisë së Arsimit që të bëjë ndryshim në këtë pjesë. Do të thotë, më 7 shtator iu drejtuam Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës dhe thamë që zhvillimi i këtillë i mësimit, përkatësisht mbajtja kaq gjatë e maskave, është e dëmshme dhe paraqet shumë vështirësi dhe propozojmë që orët të shkurtohen, në llogari të kësaj, të zgjatet koha e pushimit, që do të lejojnë jo vetëm që të shkohet në tualet, por edhe të dilet në oborrin e shkollës, që mushkëritë e bardha të mbushen me ajër të freskët, me oksigjen dhe përsëri nxënësit të kthehen në mësim.”
Kjo do të paraqiste lehtësim edhe për arsimtarët, edhe për nxënësit”, thotë për REL, kryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Jakim Nedellkov.
Ai thotë se mësimdhënia nën maska, është e vështirë si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit.
“Nxënësit, me vetë hyrjen në shkollë, deri në dalje nga shkolla, i bartin maskat, megjithatë, të mos harrojmë edhe arsimtarët që njësoj në të njëjtën kohë kalojnë nën maska, gjë që është jashtëzakonisht vështirë për të mbajtur mësimin, për të marrë frymë, për të marrë ajër cilësor, pa dallim se a ajroset hapësira, klasa, ose jo; arsimtarët dhe nxënësit nxjerrin dioksid karboni dhe po të njëjtin dioksid karboni, sërish e thithin në gjokset e tyre, përkatësisht në mushkëritë e bardha”, thotë Nedellkov.