Policia Financiare deri tek PTHP për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka parashtruar kallëzim penal kundër pesë personave fizikë dhe tre personave juridikë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe pastrim parash në Komunën e Petrovecit.
Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit Lupço Nikollovski theksoi se në maj të këtij viti ka marrë një parashtresë anonime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash në komunën e Petrovecit.
“Drejtoria ka vepruar sipas kallëzimit dhe dje ka parashtruar kallëzim penal kundër pesë personave për dëmtimin e buxhetit të komunës së Petrovecit prej mbi 1,5 milionë euro”, deklaroi Nikollovski.
Kanë arritur, theksoi Nikollovski, shumë parashtresa edhe për punën e shumë federatave sportive, për çka tërë dokumentacioni është dorëzuar në Prokurori Publike për të vepruar.
Drejtori i Drejtorisë për Polici Financiare Arafat Muaremi, tha se deri tek PTHP-ja ka parashtruar kallëzime penale kundër pesë personave dhe tre personave juridikë.
Kundër këtyre personave, theksoi Muaremi, ekzistojnë baza për keqpërdorimin e pozitës dhe detyrës zyrtare, nxitje të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, keqpërdorim të procedurës për partneritet publik privat dhe për pastrim parash.