Kryeministri Edi Rama ka nderuar kancelaren gjermane Angela Merkel me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Duke shprehu kënaqësinë e veçantë ta nderonte në emër të Shqipërisë, Rama tha se kjo ishte një detyrim ndaj kancelares.
“Ky është ylli i mirënjohjes dhe ky këtu është simboli i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, i cili e mbrojti Shqipërinë nga pushtimi dhe u mbiquajt edhe “atleti i Krishtit”, si mbrojtës i krishtërimit. Kështu që mendoj se ju detyrohemi për këtë. Nuk do të mbaj fjalim këtu, se di që ju nuk para i duroni ceremonitë, ndaj vetëm le të mjaftohemi me foton”, u shpreh Rama.
Nga ana e saj kancelarja gjermane tha se ndihet e vlerësuar dhe vlerësoi bashkëpunimin me kryeministrin shqiptar.
“Ju faleminderit shumë, jam e vetëdijshme se është një nder i madh dhe ishte gjë e mirë për mua të punoja së bashku me ju”, tha Merkel.