Banka Evropiane Investuese vazhdon përkrahjen për vendin dhe rajonin ndërsa
gatishmëria për investime në projekte të reja u theksua në takimin e sotëm midis ministrit të Financave
Fatmir Besimi dhe nënkryetares së BEI Liljana Pavllova.
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani nga BEI janë investuar mbi një miliard euro. Janë përkrahur
projekte të mëdha infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, furnizimin me ujë,
energjetikën, ujërat e zeza, ndërsa nuk mungon edhe përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme
nga mjetet e plasuara përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë takim u shpreh kënaqësia sa i përket progresit të arritur në periudhën e kaluar lidhur me
realizimin e linjës kreditore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe pritet që deri në fund të këtij
muaji të dorëzohen kërkesat për pagesën e transhës së parë të linjës së fundit kreditore prej 100 milionë
euro, për të cilën u nënshkrua marrëveshje gjatë këtij viti. Me anë të kësaj marrëveshje pritet të
sigurohet përkrahje financiare më së paku për 300 projekte të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe
është në drejtim të përkrahjes së rimëkëmbjes ekonomike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në
vend.
Ministri i Financave Fatmir Besimi shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga BEI në procesin e
aderimit në BE dhe shprehu besimin se bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në këtë takim u theksua se Banka Evropiane e Investimeve është e gatshme të zgjerojë përkrahjen e saj
për efikasitetin energjetik, lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe projektet dixhitale në Ballkanin
Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut në përputhje me Planin ekonomik dhe investues të BE-së, si dhe
sferën e ballafaqimit me zjarret.