Tunel nën lavaman, detaje dhe pamje nga arratisja spektakolare nga burgu në Izrael

Detaje të reja dhe pamje janë zbuluar nga arratisja e bujshme spektakolare e ndodhur nga burgu i sigurisë së lartë në Izrael e 6 pjesëtarëve të grupeve militante palestineze.

Në një mënyrë të ngjashme si në filmin e famshëm “The Shawshank Redemption”, të burgosurit arritën të hapin një tunel nën një lavaman dhe arritën të dalin jashtë rrethimit të burgut.

Sipas të dhënave, 5 prej të arratisurve ishin pjesë e lëvizjes së Xhihadit Islamik, ndërsa i gjashti është një ish-komandant i grupit të armatosur pranë partisë Fatah. Të burgosurit ishin shokë qelie dhe arritën të dalin nga burgu përmes gërmimit të një tuneli që dilte jashtë rrethimit. Zëdhënësi i policisë izraelite, Eli Levy tha për Kan Radio, se largimi i të dënuarve nga qelia ishte pikasur herët, por ata ishin larguar me shpejtësi dhe me shumë mundësi kishin si destinacion Bregun Perëndimor. Mediat e identifikuan një prej të arratisurve si Zakaria Zubeidi, një ish-komandat i brigadave të armatosura të Fatah, “Martirët” e Al Aqsa.

Policia, ushtria dhe agjentë sekretë izraelitë, me qen, dronë e helikopterë, janë vënë në kërkim të grupit që bëri bujë me arratisjen e tyre nga burgu i sigurisë së lartë. Ndërkohë, autoritet zhvendosën edhe 400 të burgosur të tjerë nga burgu Gilboa pasi ekziston frika e të tjera arratisjeve.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *