Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar ndaj lajmit të NBC që u transmetua edhe në mediat e Kosovës, ku raportohet se “SHBA do të dërgojë në Kosovë për verifikim, afganët që dyshohet se kanë lidhje me talebanët dhe grupet terroriste”.
Ambasada sqaron se procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta imigruese ose status refugjati në SHBA është kompleks, dhe disa aplikantë sipas tyre janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-ve.
Ambasada e SHBA-së thotë se disa raporte të mediumeve kanë lënë lexuesit me përshtypjen e pasaktë se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm për Shtetet e Bashkuara.
“Kjo nuk qëndron”, thuhet në reagimin e SHBA-së.