U nda sot nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, Kujtim Alija, “Mjeshtri i Madh” i muzikës, dirigjenti, pedagogu, simboli i festivaleve të këngës për fëmijë, figurë emblematike e qytetit të Shkodrës në veçanti.
Lajmin e dha kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. “Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta! Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë.
Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të nêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija. Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe!” përfundon znj.Ademi.
Në qershor 2017, Kujtim Alija u nderua çmimin “Mjeshtër i Madh”. Ramazan Çeka në një artikull solli profilin e këtij njeriu të shquar me kontribute të mëdha në muzikën shqiptare.
“Të gjithë e njohin dhe e respektojnë dirigjentin, drejtuesin dhe organizatorin e nderuar shkodran, të palodhur dhe energjik z. Kujtim Alia, por edhe ai na nderon ne të gjithëve. Kujtim Alija është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare.
Vjen nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës.
Pas diplomimit ka filluar punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.
Festivali i parë shqiptar i këngës për fëmijë u zhvillua në Shkodër, më 10-11 maj 1963, një vit pas Festivalit të Këngës në Radio. Kjo bëri që ky festival të mbesë deri më sot, si të thuash “Pronë” e këtij qyteti. Ky festival në vite zbuloi dhe u dha rrugën e artit shumë talenteve të cilët më vonë shkëlqyen në skenat shqiptare dhe ato botërore.
Në gjithë këto vite dirigjenti, drejtuesi dhe organizatori shkodran Kujtim Alija, pati jo vetëm fatin, por edhe aftësitë të bëhej vazhdues i mjeshtrave, që drejtuan këtë festival, duke e drejtuar atë deri sot, pa munguar dhe pa i ndryshuar klasin asnjëherë, gjë që nuk ishte aq e thjeshtë, duke pasur parasysh së paku ngjarjet e vitit 1991 dhe 1997.
Nga ana tjetër, ai i rriti klasin këtij Festivali me zgjerimin e gjeografisë së tij, me pjesëmarrje të krijuesve dhe interpretuesve të vegjël nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në mënyrë të natyrshme, Festivali i Fëmijëve u bë Mbarëkombëtar (në vitin 1993) gjë që i jep një meritë tjetër shumë të rëndësishme z. Kujtim Alija.
Kujtim Alija është njeri i palodhur. Është ideatori, organizatori dhe themeluesi i veprimtarisë “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, veprimtari që konsiderohet si një ndër aktivitetet më të rëndësishme për fëmijë, që aktualisht organizohet për të 22-tin vit me radhë në Shkodër, si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të botës fëminore, duke evidentuar nivelin e mirë të pjesëmarrësve.
Edicioni ka tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë, përmes një organizimi model, i realizuar bashkë nga Drejtoria Rajonale e Arsimit, me mbështetjen e Bashkisë. Ky aktivitet institucionalizoi kontributin e vet shumë të vlefshëm për zbulimin e trajtimin me profesionalizëm të talenteve të rinj, të cilët kanë shpalosur vlerat e tyre në olimpiada muzikore brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Ndihmë e tij e pandarë është Qendra Kulturore në Shkodër me stafin e vet të pasionuar e të përgatitur. Gjithë rezultatet e tij, z. Alija ia dedikon njerëzve punëtorë me të cilët punon vazhdimisht. Kujtim Alija me mbështetjen e Bashkisë së Shkodrës, bëri të mundur rifunksionimin e Bandës muzikore të qytetit, e cila për disa vite me radhë nuk ishte efektive. Pas një pune intensive me këtë trupë, dha me sukses premiera të vazhdueshme. Rrjedhojë e kësaj pune të vazhdueshme është edhe të fituarit e Çmimit të parë në Festivalet Kombëtare të Orkestrave Frymore në Sarandë, për katër herë rresht (aq herë sa u organizua) dhe çmimin e parë akorduar nga Presidenti i Republikës Italiane, në “X Festival internacionale Bande Musicali” në tetor 2009 në Giulianova-Itali.
Një ndër meritat e rëndësishme të dirigjentit dhe organizatorit Kujtim Alija është edhe rikthimi në Shkodër, pas 17 vitesh, i orkestrës simfonike, shumë e njohur ndër vite për profesionalizmin dhe aktivitetet e saj, jo vetëm në këtë qytet, por në gjithë vendin.
Pas viteve ’90, angazhohet edhe në një plan tjetër, duke udhëhequr evenimente të ndryshme artistiko-fetare. Pas kontributit vullnetar në disa veprimtari fetare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i beson atij drejtimin artistik të disa programeve festive që fillojnë në Teatrin “Migjeni”, vazhdojnë në skenat e Maqedonisë dhe bëhen të përvitshme në Tiranë, “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”, organizuar në sallën e Pallatit të Kongreseve. Për t’i realizuar këto, Kujtim Alija mblodhi, shkroi, muzikoi partitura të këngëve të ndryshme fetare, të pashkruara, por vetëm të kënduara, ndër të cilat edhe atë të Mevludit Sherif. Ai vazhdon me pasion punën për pasurimin e këtyre vlerave.
Gjatë viteve është angazhuar edhe me punë mësim-dhënëse në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, apo në Universitetin e Arteve në Tiranë. Kujtim Alija është një figurë karizmatike në Shkodër. Një figurë që e nderon Shkodrën. Muzikant i kultivuar, dirigjent për ta patur zili, organizator i shkëlqyer.
I dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Naim Frashëri” i Argjendtë dhe nga Bashkia e Shkodrës me titullin “Mirënjohje e Qytetit” dhe pas 32 festivaleve, në qershor 2017, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.