Të frikësuar nga regjimi i talebanëve, mbërrijnë në Tiranë 120 afganët e parë. Do të strehohen në Durrës

121 qytetarë afganë mbërritën në orët e para të mëngjesit në Tiranë për t’u strehuar përkohësisht në Shqipëri si pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare ndaj aleatëve të NATO dhe SHBA.

Fëmijë, burra, gra e të moshuar braktisën vendin e tyre pasi ai ra në kthetrat e regjimit të militantëve të dhunshëm talebanë.

Qytetarët afganë u pritën në qendrën e pritjes së përkohshme, ngritur në zonën ushtarake falë bashkëpunimit të Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit dhe u vizituan nga ministrja Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.

Pasi t’i nënshtrohen disa kontrolleve të nevojshme mjekësore, për shkak dhe të pandemisë, ata do të strehohen përkohësisht në një strukturë hotelerie në Durrës, ku do të presin verifikimin dhe pajisjen e tyre me lejen që do t’i dërgojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku është dhe destinacioni i tyre final.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama konfirmoi për gazetaren e CNN se Shqipëria është e angazhuar të presë 4000 qytetarë afganë. Vendimi për të pritur afganët është mbështetur edhe nga opozita si rrallë herë për një çështje kaq delikate.

Afganistani ra në duart e talebanëve më 15 gusht dhe prej asaj kohe me mijëra civilë dhe bashkëpunëtorë të trupave të huaja në këtë vend janë larguar me urgjencë nga vendi.

Situata është përshkallëzuar në orët e fundit në aeroportin e Kabulit, ku ditën e fundit mbi 60 persona humbën jetën dhe 130 të tjerë u lënduan si pasojë e një sulmi kamikaz, i cili u mor përsipër nga militantët e Shtetit Islamik.

SHBA është angazhuar që të përfundojë evakuimet e njerëzve dhe tërheqjen e trupave të saj brenda 31 gusht dhe kjo gjë është kërkuar me ngulm dhe nga talebanët.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *