Klinika të stërmbushura me pacientë, mjek të lodhur, familjarë të brengosur. Kjo është pasqyra në spitalet shtetërore e private në vendit. Për 12 orë mbi 100 pacientë me Kovid 19 vijnë në spital thotë infektologu nga Kumanova Aliriza Osmani. Shton se personeli mjekësor është i stërlodhur dhe ka mungesë të mjekëve dhe motrave medicinale.
“Motra medicinale ka por jo mjaftueshëm sa kemi ne nevojë. Realisht fluksi është shumë i madh i pacientëve. 100-150 vetë brenda një turi 12 orëshe, nuk ndalen as natën, as ditën, ashtu që edhe mjekët edhe motrat medicinale janë të lodhur”, tha infektologu Aliriza Osmani.
Infektologu Osmani thotë se pacientët e vaksinuar shumë më lehtë e përballojnë virusin. Thotëshpëtimin e sheh vetëm duke u vaksinuar e gjithë popullata.
“Fatmirësisht te ato që kanë vaksina simptomat janë shumë më të lehta dhe shumë më lehtë e përballojnë dhe nuk kemi vështirësi me ta. Ka pacientë me sëmundje kronike, sëmundje me zemrën që i bartin me vite, por vaksina me të vërtetë jep rezultate shumë të mira. Nuk shoh tjetër zgjidhje përveç se vaksinimi i gjithë popullatës. Ata që kanë marrë dy dozat e vaksinave ata kanë shumë më pak probleme. Edhe e tejkalon shumë më lehtë”, shtoi infektologu Aliriza Osmani.