Greqia ka vendosur një mur dhe sistem vëzhgimi 40 km në kufirin e saj me Turqinë mes shqetësimit për një rritje të emigrantëve nga Afganistani.
“Ne nuk mund të presim, në mënyrë pasive, për ndikimin e mundshëm”, tha Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve të Greqisë, Michalis Chrisochoidis në një vizitë në rajonin e Evros të premten, transmeton tv21.tv.
“Kufijtë tanë do të mbeten të paprekshëm”, shtoi ai.
Komentet e tij erdhën ndërsa Turqia u bëri thirrje vendeve evropiane të marrin përgjegjësinë për emigrantët afganë.
Në një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan tha se një rritje e mprehtë e njerëzve që largohen nga Afganistani mund të përbëjë “një sfidë serioze për të gjithë”.
“Një valë e re migrimi është e pashmangshme nëse masat e nevojshme nuk merren në Afganistan dhe në Iran”, tha Erdogan.
Marrja e shpejtë e Afganistanit nga talebanët, ka shtuar frikën e afganëve dhe kërkojnë të ikin nga vendi, shpesh me çdo mjet të nevojshëm.
Greqia, e cila ishte në vijën e parë të krizës së emigrantëve në vitin 2015 kur më shumë se një milion njerëz që iknin nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme kaluan nga Turqia në BE, ka thënë se mund të kthejë mbrapsht çdo afgan që mbërrin ilegalisht në vend.
Nga ata që mbërritën në Greqi gjatë krizës së emigrantëve, shumë udhëtuan më tej në veri në të gjithë Evropën, por rreth 60 mijë kanë mbetur në Greqi.