Ne Afganistan po mbizotëron situatë shumë kaotike ku gjithkush vrapon, madje duke rrezikuar edhe jetën, për të gjetur vend në ndonjë aeroplan që do t’i largojë nga ky shtet. Në pritje të mundësisë për t’u kthyer në vend janë edhe 75 qytetarë të Maqedonisë së Veriut. Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani tha se ekzistojnë disa alternativa për transportimin e shtetasve në fjalë. Nga gjithsej 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut që ndodheshin atje, 25 prej tyre e kanë shfrytëzuar mundësinë të largohen sa kanë qenë ende në funksion fluturimet komerciale.
Rreth 50 qytetarë që këtë mëngjes ishin në aeroportin e Kabulit, 25 prej tyre tashmë janë në terminalin ushtarak dhe përgatiten për t’u ngjitur ne avion të ushtrisë amerikane të drejtuar drejt Dohas, ku më pas do të kthehen në vend përmes fluturimeve komerciale. 25 të tjerë po presin fluturimin e radhës, për momentin ata janë në vend të sigurtë, janë duke u regjistruar dhe presin transferimin e tyre për në avion. Kemi informatë se dhe 25 qytetarë që janë të vendosur në bazën amerikane në Kabul, e cila është aty afër aeroportit të Kabulit, janë të sigurte dhe presin në listë për transferim deri në aeroport”- deklaroi Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga Maqedonia e Veriut që të pranojë në strehim 6 shtetas afganë. Megjithatë, nuk dihet nëse ky do të jetë numri përfundimtar i afganëve që do të strehohen tek ne. Ministri Osmani tha se nëse organizatat ndërkombëtare do të kërkojnë diçka të tillë, vendi ynë do ta realizojë, pas vlerësimeve.
Po përgatiten plane të tilla, nuk mund të spekuloj me shifra, por mund të theksoj se Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kërkuar nga ne që të bëjmë strehimin e 6 personave kryesisht gra dhe fëmijë të të punësuarve në Kombet e Bashkuara, që t’i pranojmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sapo të arrijnë statusi i tyre do të rregullohet sipas dispozitave ligjore vendore.”- tha Bujar Osmani- ministër i Punëve të Jashtme.
Sa u përket implikimeve financiare që lindin me strehimin e shtetasve në fjalë, ministri Osmani tha se janë në koordinim më SHBA-të dhe vendet e tjera aleate të NATO-s rreth krijimit të kornizës financiare. Përfaqësuesit ushtarak dhe ato diplomatik Maqedonia i ka tërhequr nga Afganistani që në muajin korrik. Gjithashtu edhe disa shtete të tjera kanë bërë të njëjtën gjë disa javë më parë.