Derbi me ambicie të kundërta, Shkëndija për titull, Vardari për mbijetesë
Kuqezinjtë të dielën kundër Vardarit kërkojnë suksesin e radhës, me rivalin shkupjan që nuk din për sukses ndaj neve tashmë 13-të ndeshje të njëpasnjëshme.
Shkëndija vijon përgatitjet për sfidën e dytë të gjysmësezonit pranveror, kur për herë të parë në vitin 2021 do të zhvillojmë një ndeshje në Tetovë. Vardari është kundërshtari i të dielës dhe skuadra ka punuar gjithë javën me fokusin për të projektuar tre pikët e radhës.
Gjysmësezonin pranveror e nisëm me fitore 2:1 në fushë të Sileksit dhe tashmë vazhdimësi kërkojmë kundër Vardarit. Fatkeqësisht ndeshjet vazhdojnë të zhvillohen pa praninë e publikut shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe kuqezinjtë tashmë gati një vit nuk kanë mundësi të performojnë përpara tifozerisë tetovare dhe armatës së tifozëve, “Ballistët”. Duelet me rivalin e të dielës gjithmonë sillnin harmoni shtesë mes klubit e tifozëve dhe futbollistët duken të determinuar për sukses si dedikim spektatorëve për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin klubit edhe pse në distancë. Shkëndija nuk njeh humbje nga Vardari tashmë 13-të ndeshje të njëpasnjëshme dhe të dielën ekipi projekton suksesin e radhës. Herën e fundit që dy ekipet përballeshin mes veti në gjysmësezonin vjeshtor, Shkëndija fitonte Vardarin bindshëm 5:1 në Shkup.
Tani kërkohet fitore e re e vlefshme në garën për titullin për Shkëndijën, ndërkohë që realiteti i Vardarit tashmë është lufta për mbijetesë. Dueli luhet të dielën me fillim në orën 14:00.