Atleti amerikan Grant Holloway thyen rekordin botëror të garës së 60 metrave me pengesa. 23-vjeçari nga Shtetet e Bashkuara e ndali kronometrin në 7”29, duke u bërë në këtë mënyrë edhe i pari atlet në historinë e “mbretëreshës së sporteve”, që zbret poshtë kohës 7”30 në garën më të shkurtër me pengesa, në aktivitetet indoor.
Bie kështu një ndër rekordet më të vjetër në historinë e këtij sporti në salla të mbyllura, rekord i cili i përkiste atletit të famshëm britanik Collin Jackson. Sprinteri amerikan ishte duke përjetuar një formë të shkëlqyer, madje dy javë më herët, pikërisht më datën 9 shkurt në Lievin të Francës 23-vjeçari nga Virginia fiksoi kohën e dytë më të shpejtë në garën e 60 metrave me pengesa në garat indor – transmeton SuperSport. Suksesi më i madh në karrierë për atletin nga Shtetet e Bashkuara përpara këtij rekordi ishte medalja e artë në kampionatin e fundit botëror, që u zhvillua në Katar dy vjet më parë, në Khalifa International Stadium të Dohas, ku Grant Holloway mposhti rusin Sergey Shubenkov dhe francezin Pascal Martinot–Lagarde, për të ndalur kronometrin në kohën 13”10.