Marrëveshja e Ohrit është një rrugëtim i gjatë, i vështirë, por me shumë suksese. Në drejtësinë kushtetuese të vendit u institucionalizuan një serë konceptesh, metodologji vendimarrje dhe strukturë institucionale.Kësaj here do të përmendi konceptin e barazisë dhe mosdiskriminimit, si koncepte të institucionalizuara shprehimisht në Marrëveshjen e Ohrit dhe në procesin e implementimit të saj, si në një sërë rregullimesh normative ligjore ashtu edhe në konstituimin e një numri të konsiderueshëm të organeve dhe institucioneve të sistemit të shtetit. Fryma e këtyre koncepteve sot ka mbetur një çështje shumë e rëndësishme e cila i nënshtrohet trajtimeve teorike dhe zgjidhjeve administrative apo gjyqësore në procedurën e pengimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në kuadër të konceptit të barazisë dhe mosdiskriminimit është institucionalizuar “barazia formale” dhe “barazia substantive” në disa sfera të jetës publike.Faktori shqiptar në qeversijen e shtetit ishte pozicionuar fuqishëm në krijimin e infrastrukturës institucionale dhe ligjore ku në mënyrë shprehimore do të përcaktojë detyrimet negative dhe pozitive të shtetit në fushën e diskriminimit publik duke institucionalizuar qëndrimin se dështimi i shtetit për mbrojtjen nga diskriminimi shkakton përgjegjësi për vetë organet dhe institucionet e tij. Institucionet fituan tagër të pakontestueshëm që të kujdesen për përmbushjen e detyrimeve që kanë pushtetet për të bërë ligje, për të miratuar akte administrative, për të miratuar dhe përcaktuar shpërndarjen e buxhetit dhe të hyrave publike në shtet dhe të tjera çështje që lidhen ngushtë me barazinë dhe mosdiskriminimin në bazë të përkatësisë etnike. Pra, shteti u ngarkua me detyrime negative që të mos shkatoj pabarazi dhe diskriminim. Në këtë kontekst, Marrëveshja e Ohrit i përcaktojë shtetit edhe detyrime pozitive në fushën e diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike. Institucionet e shtetit u ngarkuan me detyrimin për të garantuar, siguruar dhe respektuar barazinë dhe mosdiskriminimin mbi bazë të përkatësisë etnike.