ERFTSTADT / WASSENBERG, Gjermani – Numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese në Gjermaninë perëndimore dhe Belgjikë u rrit në të paktën 168 të shtunën pas shpërthimit të lumenjve dhe përmbytjeve të furishme këtë javë që shembën shtëpi dhe shkatërruan rrugë dhe linja elektrike.
Rreth 141 njerëz vdiqën nga përmbytjet që janë katastrofa më e rëndë natyrore në Gjermani për më shumë se gjysmë shekulli. Sipas policisë, 98 nga viktimat janë në rajonin Ahrweiler në jug të Këlnit.
Qindra vetë ishin të zhdukur, pasi disa zona u bënë të paarritshme për shkak të niveleve të larta të ujit, ndërsa nuk ishte vendosur ende komunikimi me disa pjesë të vendit.
Banorët dhe pronarët e bizneseve po përpiqeshin të pastronin në qytetet e dëmtuara rëndë.
“Gjithçka është shkatërruar plotësisht. Nuk njihet më vendi”, tha duke mbajtur lotët Michael Lang, pronari i një dyqani verërash në qytetin Bad Neuenahr-Ahrweiler, në Ahrweiler.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier vizitoi Erftstadtin në shtetin e Nordrhein-Westfalen, ku katastrofa vrau të paktën 43 njerëz.
“Ne vajtojmë me ata që kanë humbur miq, të njohur, familjarë”, tha ai. “Fati i tyre na ka plagosur zemrat”.
Rreth 700 banorë u evakuuan të premten vonë pasi një digë u thye në qytetin Wassenberg pranë Këlnit, thanë autoritetet.
Por Kryetari i Bashkisë në Wassenberg, Marcel Maurer tha se nivelet e ujit ishin stabilizuar që nga nata e djeshme.
“Është shumë herët për të thënë se ka kaluar, por kemi optimizëm të matur”, tha ai.
Diga Steinbachtal në Gjermaninë perëndimore, megjithatë, mbetet në rrezik prishjeje, thanë autoritetet pasi rreth 4’500 njerëz u evakuuan nga shtëpitë përgjatë rrjedhës së poshtme.
Presidenti Steinmeier tha se do të duheshin javë para se të mund të vlerësohet dëmi i plotë, për të cilin pritet të nevojiten disa miliarda euro në fonde rindërtimi.
Armin Laschet, Kryeministri i landit Nordrhein-Westfalen dhe kandidati i partisë në pushtet CDU në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, tha se ai do të bisedonte me Ministrin e Financave, Olaf Scholz në ditët në vijim për mbështetjen financiare.
Kancelarja Angela Merkel pritej të udhëtonte të dielën për në Rhineland Palatinate, shteti ku ndodhet fshati i shkatërruar Schuld.
Në Belgjikë, numri i të vdekurve u rrit në 27, sipas qendrës kombëtare të krizës, e cila po koordinon operacionin e atjeshëm të shpëtimit.
Qendra shtoi se 103 njerëz ishin “të zhdukur ose të paarritshëm”. Mendohet se disa mund të mos kontaktohen dot pasi nuk mund të rimbushnin me energji celularët ose gjendeshin në spitale pa dokumenta identiteti, tha qendra.
Ushtria gjermane përdori automjete të blinduara të shtunën për të zhvendosur makinat dhe kamionët e përmbytur nga ujërat.
Shumë zona vazhdonin ende pa energji elektrike dhe shërbim telefonik.
Rreth 700 persona u evakuuan nga një pjesë e qytetit gjerman Wassenberg, në kufirin me Hollandën, pas prishjes së një prite në lumin Rur.
Linjat e trenave dhe rrugët mbetën të bllokuara në shumë zona të Belgjikës lindore. Shërbimi hekurudhor kombëtar tha funksionimi normal do të fillonte të hënën.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministri belg Alexander De Croo po vizitonin qytete të dëmtuara nga përmbytja të shtunën, sipas televizionit shtetëror belg RTBF.
Përveç Gjermanisë dhe Belgjikës që janë vendet e goditura më rëndë, edhe pjesë jugore të Hollandës janë prekur nga përmbytje të mëdha. VOA