Maqedoni: Pa ujë në 40 gradë Celsius

Disa komuna në Maqedoninë e Veriut po përballen me mungesë të ujit të pijes, teksa në vend po regjistrohen temperatura të larta, deri në 40 gradë Celsius. Autoritetet po ashtu u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos e shpërdorojnë ujin.

Tetova dhe Dibra po përballen me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes, ndërkaq në Shkup, autoritetet thanë se konsumi i ujit është rritur gjatë javëve të fundit.

Shkup: Rritet konsumi i ujit për 10 për qind

Në Shkup, temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë Celsius dhe sipas Zoran Nedevskit, që drejton departamentin e pagesave të faturave në Ujësjellësin e Shkupit, konsumimi i ujit në kryeqytetin maqedonas është rritur për më shumë se 10 për qind.

Nedevski thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç rritjes së konsumit të ujit, kanë evidentuar edhe kyçje të jashtëligjshme, që zakonisht përdoren për larjen e oborreve dhe ujitjen e hapësirave të mbjella me produkte bujqësore në zonat rurale. Ndërkaq, në zonat urbane, kyçjet e jashtëligjshme bëhen për larjen e automjeteve, mbushjen e pishinave etj.

“Njëzetmijë metër kub brenda ditës i harxhojnë qytetarët në këto ditë të nxehta. Ne po i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që qytetarët në asnjë mënyrë të mos mbesin pa ujë. Madje, primare e kemi furnizimin me ujë të qytetarëve edhe pse shumë e rëndësishme është vaditja e hapësirave të gjelbëruara, prandaj vaditjet i bëjmë pas orës 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, pasi duam që primare të mbetet furnizimi me ujë i amvisërisë në çdo pjesë të qytetit”, thotë Nedevski.

Tetova dhe Dibra, pa ujë

Përveç se po përballen me temperatura mbi 35 gradë Celsius, banorët e Tetovës dhe Dibrës po kanë edhe restrikcione të ujit të pijshëm.

Autoritetet komunale që një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se problemi i furnizimi me ujë të pijshëm në këto komuna – të banuara me shumicë shqiptare – do të rregullohej nëse do të investohej në infrastrukturë.

Në Komunën e Tetovës, vlerësohet se më shumë se 40 për qind e ujit, që vjen nga Malet e Sharrit, humbet në rrjet, për shkak të gypave të vjetër, të cilët janë vendosur në sistemin e ujësjellësit 90 vjet më parë.

Por, Ngadhënjim Mehmeti, banor i Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është jonjerëzore që tash e disa vite, faji për mungesën e ujit, t’i lihet mosriparimit të sistemit të ujësjellësit, teksa lagje të tëra të Tetovës, gjatë verës mbesin pa ujë për orë të tëra.

“Me rritjen e numrit të popullsisë dhe amvisërive në Tetovë, ujësjellësi në këtë qytet nuk ka kapacitet dhe është dashur të zëvendësohet para 20 vjetësh, që të përmbushë nevojat me furnizim me ujë të pijshëm në këtë qytet”, thotë Mehmeti.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *