Konkursi për zgjedhjen e regjistruesve rajonal dhe instruktorëve për regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoninë e Veriut do të shpallet më 20 korrik dhe do të zgjasë deri më 5 gusht.
Nga Enti Shtetëror për Statistika njoftojnë se janë intensifikuar përgatitjet për Regjistrimin 2021 që do të zbatohet nga 5 deri më 30 shtator.
“Në mënyrë që në kohë të zgjidhen regjistruesit dhe instruktorët dhe të lihet mjaftueshëm kohë për trajnim të tyre, ESHS shpall konkursin ku kërkohen 5.055 regjistrues rajonal dhe 508 instruktorë për 50 rajone të regjistrimit”, thonë nga ESHS.
Kushtet për aplikim janë të jenë mbi 18 vjet dhe shtetas të Maqedonisë, të jenë të papunësuar dhe të kenë përfunduar arsimin e mesëm.
Paraqitja do të bëhet përmes ueb-faqes Popis2021.stat.gov.mk, ndërsa dokumentet do të dërgohen përmes postës deri te Enti Shtetëror për Statistika.
Nga ESHS bëjnë thirrje të gjithë atyre që përmbushin kushtet të paraqiten dhe të japin kontribut në zbatimin e regjistrimit.