Bujqit dhe organizatat joqeveritare, që merren me mbrojtjen e mjedisit, kanë ngritur alarmin për mungesën e Planit kombëtar për adaptim ndaj ndryshimeve klimatike. Ata thonë se po ashtu mungon edhe strategjia e kompensimit të dëmeve ndaj shëndetit të qytetarëve dhe sektorit bujqësisë, që shkaktohen nga ngritja ekstreme e temperaturave.
“Deri më tani kemi pësuar shumë dëme, pasi e shihni se si janë temperaturat momentale, kemi thatësira të mëdha dhe për një ditë ndodhin reshje të rrëmbyeshme me breshër. Shkaku i ndryshimeve klimatike, prodhimtaria jonë, rendimentet e grurit dhe misrit janë ulur për 20 deri 30 për qind, pasi shirat nuk janë në kohën e duhur dhe ne varemi shumë nga reshjet e shiut”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nuri Sulejmani, i cili brenda vitit prodhon rreth 2 mijë tonë grurë dhe misër.
Ai nënvizoi se nga shteti nuk ka marrë ndihmë financiare për mbulimin e dëmeve që i shkaktoi mungesa e reshjeve të shiut në pranverë, e as nga dëmet që shkaktuan më pas shirat e rrëmbyeshëm.
“Kemi zero interes nga ana e shtetit që të amortizojë dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike”, thotë Sulejmani.
Ndërkaq, Elena Nikollovska nga organizata “Eko Svest”, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet ta miratojnë sa më shpejt Planin kombëtar për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, pasi sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të menaxhohen rreziqet që sjellin ndryshimet klimatike.