Me fillimin e pushimeve verore, në rajonin më të gjerë të Pollogut ndjehet lëvizshmëri e shtuar nëpër objektet hotelierike dhe posaçërisht në kafenetë dhe në diskoteka, sidomos në mbrëmje kryesisht gjatë fundjavës.
Nga SPB Tetovë nëpërmjet një kumtese thonë se në to, organizohen herë pas here ahengje të ndryshme, zakonisht të shoqëruara me muzikë me zë të lartë që shqetëson qytetarët e tjerë dhe mbi të gjitha ata që jetojnë në afërsi të objekteve hotelerike, kjo i referohet më së shumti objekteve që janë të vendosura në katin përdhes të ndërtesave të banimit.
“Prandaj, Sektori për punë të brendshme Tetovë përsëri u bën thirrje pronarëve të kafeneve, diskotekave dhe ambienteve tjera hotelierike që t’i kushtojnë vëmendje vëllimit të muzikës të cilën e lëshojnë nëpër baret e tyre ose ofrojnë grupe të ndryshme muzikore dhe në të njëjtën kohë i kujton ata se gjoba për këtë shkelje varion nga 200 në 500, gjegjësisht deri në 1000 euro në kundërvlerë me denarë (neni 8 i ligjit për shkelje të rendit dhe qetësisë publike)”.
“Sektori për Punë të Brendshme Tetovë gjithashtu bën thirrje që hotelierët të mos lejojnë qëndrimin e të miturve në ambientet e tyre pas orës 24.00 (Neni 21 i LKKRQP), dhe të mos i shërbejnë ata me pije alkoolike, sepse në këtë rast ndaj tyre janë paraparë parashtresa adekuate dhe gjobat e larta nga 1700 deri në 2000 euro në kundërvlerë me denarë, kurse për servimin me alkool personat e mitur, nga ana tjetër hotelierët mund të ndiqen edhe penalisht”, thonë nga SPB Tetovë.