Edina Tairi
Ajo me të cilën ne, si shoqëri dhe si një tërësi grupore, përballemi kohët e fundit është për të ardhur keq. Por ajo për të cilën duhet të ndiejmë keqardhjen më të madhe është moskryerja e detyrës me ndërgjësim moral, profesional dhe përgjegjësi nga personat adekuatë të fushave përkatëse, të cilët duhet të merren me këto problematika dhe raste skandaloze që po ndodhin tek ne.
A e kemi vendosur qoftë edhe një herë veten në vendin e atyre që përjetojnë fatkeqësi nga më të ndryshmet? Mendoj se shumë rrallë, përderisa këto raste vazhdojnë të prekin shoqërinë tonë.
Jo shumë kohë më parë, u përballëm me fenomene shumë të papëlqyeshme, ku lajmet kryesore ishin të mbushura me ngjarje si mbytjet, vetëvrasjet, vdekjet… të individëve mes të cilëve jemi të gjithë ne. A duhet të jetë kjo një thirrje për ndërgjegjësim, një alarm për tu ngritur dhe për të kuptuar se diçka nuk shkon? A duhet të merren masa parandaluese dhe të bëhen analiza e hulumtime për të zbuluar shkaqet që çojnë në ndodhjen e këtyre rasteve?
Një tjetër pikëpamje që na intereson dhe që duhet shqyrtuar është sa ne si shoqëri dhe sa shteti në tërësi merr masa apo ndikon dhe ndërhyn në këto raste, duke u kushtuar vëmendjen e duhur këtyre fenomeneve, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për t’u diskutuar dhe për të ngritur hipoteza mbi shkaqet, faktorët dhe arsyet që çojnë deri në këto situata.
Në përgjithësi, një qasje e koordinuar midis shoqërisë dhe shtetit mund të ndihmojë në reduktimin dhe menaxhimin më të mirë të fatkeqësive sociale. Një shoqëri më e ndërgjegjshme dhe një shtet më i përgjegjshëm mund të bëjnë diferencën në shpëtimin e jetëve dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës për individët në nevojë.
Shënim:
Opinionet në fjalë iu përkasin studentëve të Psikologjisë (viti i II-të), Universiteti “Nënë Tereza”.
Fushatë sensibilizuese nën moton “…nga të rinjtë, për të rinj!”.
Pjesë nga punimet në lëndën “Psikopedagogji”.
