Sihana Tairi
Në cilën periudhë kohore është cilësuar më shumë statusi i një të riut? Kësaj pyetje të gjithë, e sidomos personat e moshës së mesme do të ishin përgjigjur periudha kur kemi qenë ne të rinj. Por të jemi të sinqertë, edhe ne si “të rinj” të sotshëm do të duhet të pajtohemi me këtë.
E tash, përse ekziston një dallim i madh mes një të riu të asaj kohe dhe neve tani? A ka gisht këtu faktori “koha” , “kushtet”, apo ndoshta është edhe diçka individuale që varet prej individit? Mendoj se një ndërthurje e të gjithave nga pak, por më lehtë e kemi të themi dinamika e jetës së sotme. Kjo është një klishe që e kemi të dëgjuar shumë shpesh, por si thoni ta zbërthejmë më shumë dhe të shohim se çka na ka shkaktuar kjo dinamikë, a ka ekzistuar më parë. Nga kjo dinamikë askush prej nesh nuk jemi në gjendje ti ndajmë dy minuta për veten tonë, të shikojmë brenda vetes, ta bëjmë atë “introspekcionin” për vete. Dhe si rezultat i kësaj ne marim përgjigje mohuese nga një i ri kur e pyesim se a mendon se e njeh veten tënde plotësisht. Kjo është e tmershme, dhe shumë lehtë kur ne nuk e njohim veten tonë dhe nuk e dimë se çka duam, çka duhet të duam, dhe në fakt sa larg duhet të shikojmë kemi gjasa të manipulohemi nga një intelegjencë artificiale me të cilën jemi në kontakt çdo ditë. Unë mendoj se më parë kanë ekzistuar forca më të mëdha që kanë vepruar mbi njeriun për ta vënë në lëvizje, këtë e kam konstatuar duke e dëgjuar një rutinë të ditës nga një person që ka jetuar një shekull më parë. Pra nuk është që aso kohe njerëzit nuk kanë pasur obligime, apo nuk kanë qenë të zënë me punë. Që do të thotë se dinamika nuk është shpikur sot, ajo ka ekzistuar dhe ka ndikuar në jetën e njerëzve edhe më parë. Çka nëse e përdorim këtë vetëm për ta pasur ndërgjegjen e qetë, dhe për të thënë se ne jemi duke dhënë maksimumin, por gjërat janë shumë më ndryshe sot dhe se faji duhet të jet tek dinamika e jetës së sotme. Po, gjërat me të vërtetë janë më ndryshe dhe tek koha që ne po jetojmë janë futur edhe inovacione të mëdha, zhvillime, ku ne kemi pritur që të njejtat të na sjellin më shumë avantazhe dhe më pak problematika. Por me sa duket nga pa kujdesia jonë teknologjia e zhvilluar gjegjësisht interneti ka ndikuar shumë keq tek një fëmi, që është një “tabula rasa” dhe i duhet një mbikqyrës përderisa e dimë se i duhet të jetë në raport të ngushtë me të. Ky është një faktor i rëndësishëm, që po shkakton mendime iracionale tek të rinjtë, ndërsa me këtë faktorë problematik nuk janë përballur të rinjtë e asaj kohe. Në rregull, ne duhet të ecim me kohën dhe inovacionet nuk mund të ndalojnë, por ku është këtu forca e një prindi që të ndërhyjë ne e dimë se psikologjia para se gjithash e vë në theks të veçantë rolin prindëror. Dhe kur e marim në konsideratë faktin se asnjëherë më shumë se në ditët e sotme nuk ka pasur prindër që të paktën kanë ndjekur një arsim të mesëm (të obligueshëm). Nga kjo ne presim të ketë gjenerata të paktën me sjellje të balansuara në çdo aspekt të jetës. Por, nuk është se kanë të ndalur fenomenet e tipit “ shumica e nxënësve në institucionet arsimore tregojnë sjellje arrogante” , dhe pas kësaj është për tu habitur kur ka dhe prindër që as nuk e ndjen të nevojshme të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me mësimdhënësin. Edhe në këtë rast dalin më të livdueshëm të rinjtë e asaj kohe që në fund të fundit nuk kanë pasur prindër të cilët të kenë mundësi për shkollim, por që nuk u ka munguar edukata e lartë.
Ne sot duke u munduar të dukemi sa më të përpikt, dhe duke synuar sa më shpejtë të arrijmë “perfeksionin” po e përshpejtojmë vet jetën tonë dhe në fakt nuk jemi të vetëdijshëm se po numërojmë në vend. E vetmja gjë që kemi janë ndjenjat negative, pesimiste dhe këtë energji negative e bartim dhe e shkarkojmë brenda në familje, në punë, në shkollë.
Ai i riu dje nuk është ndalur të jetojë në makth për të ardhmen, për një gabim që ka bërë në të kaluarën ka pasur prindër që kanë pasur autoritet dhe kanë ditur kur duhet ta ndëshkojnë, dhe janë përpjekur shumë më shumë për të tashmen. E këto gjëra duhet mirë ti dëgjoj ai i riu i nesërm.
Shënim:
Opinionet në fjalë iu përkasin studentëve të Psikologjisë (viti i II-të), Universiteti “Nënë Tereza”.
Fushatë sensibilizuese nën moton “…nga të rinjtë, për të rinjë!”.Pjesë nga punimet në lëndën “Psikopedagogji”.