Arti me gjilpëra një art unik

Shkruan: Sadije Aliti

Artisti i një arti të veçantë,arti të bukur, arti që është më unik. Njeriu i gjilpërave, mbi një milion gjilpëra të kaluara nëpër gishtërinjtë e duarve për të thurur motive kombëtare në kadife.Vepra arti për pjesëmarrje në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare, ekspozita individuale e kolektive. Mbi 101 punime dhurata për artistë e institucione të ndryshme. Autori i punimeve me këtë art është Zeqir Memeti nga fshati Zhelinë nga Tetova.

Shumë orë pa gjumë, shumë punë e sakrificë, kur edhe ka qenë koha e shkurtë e punimeve, por shumë vullnet e dashuri, e shumë kënaqësi kur është finalizuar punimi shprehet mes tjerash, Zeqir Memeti. Kritikuesi i parë, dhe më i ashpër për punimet para finale është bashkëshortja tij, zonja Qefsere,  ajo është edhe mbështetja dhe udhërrëfyesja kryesore, gjatë këtij rrugëtimi artistik, sepse finesat e çdo punimi kalojnë nëpër duart e saj.

Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, në fshatin Zhelinë, ndërsa  gjimnazin në Tetovë, për të vazhduar studimet në fakultetin Filozofik, në degën e pedagogjisë  në Prishtinë, në shkollën e fshatit të lindjes “Luigj Gurakuqi”, ka punuar si punëtor profesional-pedagog, por edhe si drejtor. Pas  afro 40 vite pune në arsim, pensionohet. Krahas  punës  profesionale është marrë  edhe me një lloj arti të  veçantë që nga vitet e tetëdhjeta. Në vitin 1987 në kuizin e mirënjohur Kviskoteka  të televizionit të Zagrebit punimi “maskota e kuizit“ merr çmimin e dytë  të  konkursit. Me ekspozitë është paraqitur për herë të parë në vitin  2009, “Falënderim për ndihmat“, kjo ekspozitë morri jehonë ndërkombëtare.
Lista e punimeve unikate me gjilpëra çdoherë lajtmotiv e ka atdhedashurinë, dhe për nder të festave e jubileve kombëtare ka realizuar punime të ndryshme,si hartën e Kosovës me mbishkrimin “GËZUAR PAVARËSIA”, si dhuratë për ditën e shpalljes së pavarësisë që e dhuroi në  Kuvendin e Kosovës, një punim për 100 vjetorin e Alfabetit si dhe disa shkrime e punime tjera. Në të njëjtin motiv është edhe ekspozita  “Perla që flasin shqip prej 100 vjetësh“  dedikuar 100  Vjetorit  të Pavarësisë së Shqipërisë. Këto punime kanë qenë të ekspozuara në Tetovë, në Librarinë e Çarshisë  në Shkup, në Vlorë, në Tropojë-Bajram Cur. Me ekspozita ka qenë i pranishëm edhe në manifestimin “Ditët e kulturës shqiptare në Danimarkë”.Në maj  të vitit 2017  nga këshilli  i xhamisë  së Willit, është  ftuar në manifestimin e inaugurimit të xhamisë së re, ku bëri promovimin e ekspozitës “ Perlat e Kuranit famëlartë”.Në 110 vjetorin  e Kongresit të Manastirit  me studentët e Fakultetit Filozofik të prof.dr.Arsim Sinanit  në Prishtinë në punëtorinë dy ditore  me afër 50 studentë u përgatitën shkronjat e alfabetit të cilat janë vendosur në dhomën ku janë figurat e delegatëve në Muzeun e Kongresit të Alfabetit në Manastir. Me një punim artistik ka nderuar Komandantin Legjendar Adem Jashari, dhe në ditën e flamurit të vitit 2022 në Kullën e Nikajve- muzeun MONUMENT  dhuroi disa punime me motive kombëtare, Muzeut  Kombëtar të  Kosovës i ka dhuruar disa punime.

Institucioneve të ndryshme, personaliteteve ndërkombëtare dhe kombëtare, familjarëve,miqve e shokëve  u ka dhuruar mbi 101 dhurata artistike!

Rrugëtimi artistik dhe loja me gjilpëra vazhdon edhe më tej!

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *