Në fjalën e tij para delegatëve në Kuvendin e jashtëzakonshëm të FFM-së, kryetari Muamed Sejdini tha:
“ Të nderuar delegatë, bashkëpunëtorë, administratë e të punësuar në federatë, të nderuar përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s, të nderuar mysafirë, përfaqësues të medieve dhe të gjithë të pranishëm,
Dita e sotme shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm dhe për mua sjell ndjenja të përziera. Nga njëra anë, ndjej krenari të jashtëzakonshme për gjithçka që kemi arritur së bashku gjatë këtyre shtatë viteve si kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, është një moment reflektimi, pasi çdo epokë ka një fund, dhe sot mbyllim një kapitull që erdhi me shumë sfida, por përfundoi me suksese historike.
Këto vite do të mbeten të paharrueshme për mua dhe, besoj, për të gjithë ata që e duan futbollin tonë. Nga pjesëmarrja historike në kampionatin EURO 2020, te fitorja e madhe kundër Italisë, sukseset në Ligën e Kombeve, e deri te projektet infrastrukturore që transformuan shumë fusha të futbollit në vend. Të gjitha këto janë fryt i punës sonë të përbashkët dhe përkushtimit të të gjithë neve.
Jam krenar që në krye të Federatës erdha me votën tuaj në një Kuvend si ky, në vitin 2019, dhe më pas ripërtërita këtë besim në vitin 2021. Sot largohem duke ju falënderuar në po këtë Kuvend, me ndjenjën e krenarisë që mund t’ju shikoj të gjithëve në sy dhe të ndajmë bashkë suksese që do të mbeten gjatë në historinë e futbollit tonë.
Falënderoj të gjithë ju që ishit pjesë e këtij udhëtimi – delegatët, klubet, lojtarët, trajnerët, administratën dhe çdo dashamirës të futbollit. Uroj që edhe në të ardhmen të kemi suksese edhe më të mëdha dhe që futbolli ynë të vazhdojë të jetë burim krenarie për të gjithë ne.
Pasardhësit tim i uroj punë të mbarë dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij.
Faleminderit të gjithëve!