Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), nëpërmes një konunikate për nedie, thotë se është “sulmuar” javëve të fundit nga “një grup i strukturuar kriminal” me interesa të caktuara, të cilët sipas kësaj federate e sulmojnë Federatën, Kombëtaren, klubet e futbollit dhe futbollin në përgjithësi, veçanërisht kur pretendojnë se mund të ketë zgjedhje në FFK dhe të kapin këtë institucion.
Reagimi i FFK-së vjen pasi Albanian Post ka publikuar ditëve të fundit një seri shkrimesh, që dëshmojnë me dokumente dhe fakte për nepotizmin masiv që ka kapluar Shtëpinë e Futbollit të Kosovës.
FFK, në një reagim të pashembulltë, e quan pronarin e AP si “të punësuar” nga grupet kriminale, ndërsa i jep të drejtë vetes dhe të vlerësojë profesionalizmin e artikujshkruesve, duke u quajtur “pseudo-gazetarë”.
“Të inspiruar nga rasti kriminal i inceneratorëve në Shqipëri, ky grup kriminal kësaj radhe ka vendosur të punësojë Baton Haxhiun edhe në Kosovë, për të lustruar imazhin e dikujt dhe për të sulmuar të tjerët përmes mediave të pakta dhe pseudo-gazetarëve që ka. Për këtë grup kriminal, FFK-ja ka nisur procedurat e kallëzimit në organet më të larta shtetërore, organet e drejtësisë, si dhe në Këshillin për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport”, thuhet mes tjerash në reagim.
Komunikata e plotë pa ndërhyrje e FFK-së:
29 shtator, 2024 – Federata e Futbollit të Kosovës është sulmuar javëve të fundit nga një grup i strukturuar kriminal me interesa të caktuara, të cilët e sulmojnë Federatën, Kombëtaren, klubet e futbollit dhe futbollin në përgjithësi, veçanërisht kur pretendojnë se mund të ketë zgjedhje në FFK dhe të kapin këtë institucion.
Përmes këtyre sulmeve, ata kanë vendosur të riciklojnë informacione të pabazuara që ishin shpërndarë edhe në periudha të kaluara. Këto pretendime tani janë të njëjtat që janë sqaruar vite më parë nga një mori e institucioneve dhe organeve të drejtësisë, dhe ky është një kapitull i mbyllur.
Të inspiruar nga rasti kriminal i inceneratorëve në Shqipëri, ky grup kriminal kësaj radhe ka vendosur të punësojë Baton Haxhiun edhe në Kosovë, për të lustruar imazhin e dikujt dhe për të sulmuar të tjerët përmes mediave të pakta dhe pseudo-gazetarëve që ka. Për këtë grup kriminal, FFK-ja ka nisur procedurat e kallëzimit në organet më të larta shtetërore, organet e drejtësisë, si dhe në Këshillin për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport.