Shaban Sinani
Me një ceremoni përkujtimore e organizuar në hapësirat e Qendrës për Kulturë në Tetovë u nderua aktori i parë profesionist nga Tetova dhe Maqedonia e Veriut, Selim Ramadani, i cili u nda nga jeta në moshën 30 vjeçare para 47 viteve. Me këtë rast u promovua edhe vepra “Një melodi e Këputur” e autorit Selim Ramadanit
Në këtë ngjarje të veçantë ishin të pranishëm aktorë të gjeneratës së parë të teatrit të Prishtinës, familjarë, dashamirë dhe miq të ngushtë të artistit të ndjerë. Motra e të ndjerit Hasije Ramadani në këtë ceremoni përkujtimore pos tjerash tha: “Dhe skam fjalë tjetër çka të them përveç se t’iu tregoj se me botimin e veprës së Selimit dhe me përkujtimin e përvjetorit, mua mu ringjall sot Selimi.“
Për jetën dhe veprën e tij foli recensenti i veprës profesori Xhelal Zejneli i cili pos tjerash tha: “Promovuam njëherazi edhe librin me titull “Melodi e këputur”, në këtë libër janë përfshirë dyzet poezi të tij, janë përfshirë edhe drama të tij, po ashtu edhe tregime të shkurtra të tij. Shpresojmë që me botimin e këtij libri të nxirret në sipërfaqe nga harresa aktori i shquar Selim Ramadani, për të cilin gati gjysmë shekulli as është folur as është shkruar për të.“
Fjala e rastit u mbajt nga Dr. Prof. Agim Vinca, shok i gjeneratës së tij, i cili vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të Ramadanit në zhvillimin e teatrit shqiptar, ndërsa autoriteteve të Komunës së Tetovës ua propozoi që Teatri i Tetovës të emërtohet “Teatri Selim Ramadani”. “Unë e mendova gjatë këtë duke e përgatitur këto ditë fjalën që do e thosha, dhe dola me propozimin të cilin do e them edhe këtu në ekranin tuaj, që Teatri i Tetovës të mbaj emrin Selim Ramadani. Mendoj se ky emër i bën nderë këtij institucioni, mendoj se është plotësisht me vend dhe i ftoj organet kompetente të Komunës së Tetovës, po edhe më lartë të Republikës, t’i qasen këtij problemi dhe ta zyrtarizojnë këtë. Është dashur të bëhet kjo edhe më përpara, sikur nderimi që iu bë sot”.
Selim Ramadani, i lindur më 19 prill 1947 në Tetovë, kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet në shkollën e lartë të Artit në Prishtinë. Ai është i njohur për interpretimet e tij të shkëlqyera në vepra të ndryshme dramatike dhe për kontributin e tij të madh në skenën teatrale. Ramadani luajti role të ndryshme në drama të njohura si “Mbreti Edip”, “Tri ditë të kiametit”, dhe shumë të tjera. Selim Ramadani ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare më 24 gusht 1977, por kontributi i tij në teatrin shqiptar mbetet i pashlyeshëm.