KSHZ: VMRO-ja fitoi 58 deputetë, Fronti Europian-19, LSDM-18, VLEN-13

Me fitoren e Gordana Siljanovska Davkovës dhe të VMRO-DPMNE-së, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Të gjithë pjesëmarrësit, si dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.

“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Në konferencën e mbrëmshme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.

“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, tha ajo.

Siç shtoi, duhet të bëjmë përpjekje t’i japim fund ballkanizimit, t’i ndihmojmë njëri – tjetrit, të jemi politikanë.

“Për këtë duhet të fillojmë të kuptohemi mes vete, të ndihmohemi, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje”, tha ajo, duke shtuar se rrugët e saj prijnë së pari në Ballkan, ndërsa Brukseli, siç shtoi, nuk lihet anash.

Siljanovska Davkova potencoi se do t’i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.

Kundërkandidati i mbështetur nga LSDM dhe Koalicioni, i cili garoi për mandat të dytë, Stevo Pendarovski i uroi fituesit dhe u dëshiroi punë të suksesshme në katër vitet në vijim, përkatësisht pesë vite, duke cekur se rezultatet janë të qarta dhe se nuk ka ndërmend t’i arsyetojë më hollësisht.

“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e sukseshme”, tha Pendarovski.

Jam i bindur thellë, vazhdoi Pendarovsi, se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme, dhe ndërgjegjja ime është e pastër, por nuk besoj se e kanë të pastër ata të cilët penguan mijëra qytetarë që ta marrin edhe fletën e dytë dhe të votojnë për zgjedhjet presidenciale, duke iu referuar bojkotit të zgjedhjeve presidenciale.

Pendarovski i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mundësuan që kjo ditë zgjedhore të zhvillohet në atmosferë demokratike, ndërsa për disa shkelje, theksoi ai, ua lëmë institucioneve kompetente që ta zgjidhin këtë.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, nga 99,27% të votave të numëruara, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate për përbërjen e re të Kuvendit. Pas saj është koalicioni i Frontit evropian, kryesuar nga BDI me 19 mandate deputetësh, Koaliconi i kryesuar nga LSDM ka 18, koalicioni VLEN 13, E Majta dhe partia ZNAM nga gjashtë vende deputetësh.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicionim dhe tha se është i bindur se do të formojnë Qeveri në një kohë sa më të shkurtër dhe se procesi do të jetë transparent.

“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.

Në konferencën e mbrëmshme për media në selinë e partisë, Mickoski theksoi se sonte janë mposhtur “krimi, korrupsioni dhe paaftësia”.

“Janë mposhtur edhe tradhtitë, përçarjet, ata qindra njerëz nga BDI dhe LSDM që mendonin se janë zotër të jetëve tona. Ata sot kanë dhembje koke, ka pse. Do të përgjigjen deri te i fundi. Secili që ka kryer krim dhe ka kryer korrupsion duhet të mbajë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje”, tha Mickoski duke shtuar se është triumfuar ndaj bojkotit të BDI-së.

Sipas tij, populli tregoi se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrohen përmes institucioneve.

“Populli iu dha leksionin më të rëndësishëm dhe e shpëtoi vendin e tij. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë e juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Do ta kthejmë shpresën dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha ai.

Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media mbrëmë në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.

Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *