Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar sot për uljen e çmimeve të shërbimeve komunale dhe përmirësimin e faturave për qytetarët.
Në fokus të konferencës për shtyp ishin ndryshimet në faturimin e mbeturinave, ujit për pije dhe kanalizimit, pasi gjatë grumbullimit të të dhënave janë vërejtur disa lëshime dhe për të cilat ka pasur ankesa edhe nga ana e qytetarëve.
Në një përpjekje për të rritur transparencën dhe efikasitetin, Kasami prezantoi metodologjinë e re të faturimit të mbeturinave, e cila u arrit në bashkëpunim me kompaninë për menaxhimin e mbeturinave, Saubermacher. Sipas kësaj metodologjie, çmimet për mbeturinat do të ulen në disa zona, duke e lehtësuar barrën e pagesës për qytetarët. Në fshatrat e Malësisë së Tetovës, çmimi për mbeturinat do të jetë 340 den., ndërsa në fshatrat e të tjera si Reçicë të Madhe, Reçicë të Vogël, Poroj, Xhepçisht, Falisht dhe Saraqinë, çmimi do të jetë 540 den.
Kasami gjithashtu njoftoi se për faturat e muajit shkurt, pagesa për ujë dhe kanalizim do të fshihet dhe u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë pjesën e mbetur të faturës.
Kasami gjithashtu bëri të ditur se N.P. “Sharri” është e detyruar të sigurojë orëmatës për llogaritjen e ujit brenda vitit dhe se në të ardhmen faturimi do të bazohet në shpenzimet për çdo abonent. Këto ndryshime synojnë të përmirësojnë shërbimin dhe të lehtësojnë barrën e pagesës për qytetarët e Tetovës.