Opozita shqiptare (VLEN) ka akuzuar BDI-në se për 4 vjet ka investuar 46 milionë euro në kumar dhe bixhoz, përcjell TV21. Opozita shqiptare kritikon edhe ndryshimet në Ligjin për Lojërat e Fatit, ku sipas tyre këto ndryshime ishin vetëm fasadë, ndërkaq theksojnë se me këtë është keqpërdorur edhe flamuri europian.“Të nderuar, “ariu polar” vërtetë ka trokitur në dyert tona – por përmes parave dhe transakcioneve të pista të oligarkëve serbo – rusë, të cilët qëndrojnë prapa mega industrisë së kazinove dhe kumarit. A ka akoma dilema se përse shqetësohet Aleksandar Vuçiq për politikën shqiptare në Maqedoni?! Sot, teksa paradojnë nëpër vendbanimet shqiptare dhe kalldrëmin e Çarshisë, ne i rikujtojmë edhe njëherë publikisht se 6 milionë euro të shpenzuara për të forcuar edhe më shumë kazino industrinë përmes softuerit për “rrush e kumbulla” do të ishin 6 milionë euro më shumë për softuer për studentë, për digjitalizimi të arsimit pa libra, për rehabilitimin edhe më të madh të Çarshisë, për ndërtim rrugësh, çerdhesh, shkollash, bibliotekash, qendrash kulturore, e të ngjashme. Me këto 6 milionë euro të miratuara me nënshkrim të kujt tjetër pos kurbanit të Artan Grubit – Përparim Bajramit, shuma e investuar nga BDI- ja në kumar dhe bixhoz arrin në 46 MILIONË EURO për vetëm katër vite!!! Mos kini asnjë dilemë – prapa pohimit për “dislokimin e kazinove” në fakt fshihet vetëm strategjia e forcimit të mëtejmë të tyre, dhe vulosja e prezencës së tyre në jetët tona! Ndërkohë që po tentojnë të na mashtrojnë me gjoja planet për mbyllje të kazinove, kazinomenët, të fshehur pas fasadës së flamurit europian, janë duke instaluar kumarin në secilën shtëpi – duke e bërë pjesë të kulturës sonë, pjesë të edukatës sonë, pjesë të mentalitetit tonë! Alarmi është ndezur – demontimi i këtij regjimi ka filluar dhe do të finalizohet më 24 prill dhe 8 maj! Kjo pra është fytyra e vërtetë e BDI – së, e mbështjellur me fjalë të bukura, premtime të mëdha, dhe natyrisht, me shumë elemente kombëtare. Duke u thirrur në emër të kombit, në fakt po ndodh çkombëtarizimi më i madh dhe zhveshja nga traditat historike kombëtare të shqiptarëve vetëm e vetëm që të pasurohet Artan Grubi përmes kurbanit të tij Përparim Bajrami”, tha Ardian Demirit nga koalicioni VLEN.
