Një aktivitet i përbashkët mblodhi krijues nga Tetova e Kosova që veprojnë në Suedi për të shënuar “Ditët e Letërsisë Suedeze”. Qendra Kulturore “MIGJENI” nga Borasi në Suedi dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum” në Tetovë në kuadër të aktivitetit “Ditët e Letërsisë Suedeze”, organizuan një takim letrar. Fjalë përshëndetëse paraqiti kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, Daim Iljazi i cili faleminderoi të pranishmit për bashkëpunimin dhe paraqiti një historik të veprimtarisë së shoqatës. Për aktivitetet e Qendrës Kulturore “MIGJENI” nga Boras në Suedi, Sokol Demaku, prezantoi aktivitetin e kësaj qendre, aktivitete vjetore siç janë përkthimi i veprave të krijuesve shqiptar në gjuhën suedeze dhe nga gjuha suedeze në gjuhën shqipe. Organizimi i festivalit poetik “Sofra poetike”, botimi i gazetës mujore “Dituria” dhe programi në radio në gjuhën shqipe në radion suedeze. Sadije Aliti, theksoi se bashkëpunimi me këtë shoqatë është i hershëm dhe ndër vite janë realizuar edhe takime të përbashkëta mes krijuesve tetovar dhe atyre suedez duke i kontribuar njohjes së kulturave mes dy popujve dhe duke ndërtuar ura komunikimi përmes artit. U lexuan poezi nga të pranishmit dhe u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen.Aktiviteti u mbajt në hapësirat e Qendrës Rinore, salla në objektin e ish Radio Tetovës.