OSBE-ja është e gjallë, vlera e saj është sa më shumë përdoret për tejkalimin e mosmarrëveshjeve. Bllokada apo mosrespektimi i parimeve të Organizatës është kërcënim i drejtpërdrejtë për vlerat e saj themelore, për të cilat është angazhuar që nga viti 1975, janë mesazhet kryesore që u dërguan nga Këshilli Ministror i OSBE-së që u mbajt dje në Shkup.
Liderët evropianë dënuan agresionin rus kundër Ukrainës dhe shprehën mbështetje të fortë për popullin ukrainas, ndërsa disa prej tyre u larguan nga salla gjatë fjalimit të kreut të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, i cili në fjalimin e tij tha se ajo që po ndodh aktualisht në OSBE nuk është mënyra e duhur se si duhet të trajtohen çështjet e sigurisë evropiane. Para pjesëmarrësve të Këshillit të Ministrave, Lavrov theksoi se kryeqytetet perëndimore po veprojnë në atë mënyrë që të minojnë punën e OSBE-së.
Për shkak të mbërritjes së Lavrovit në Shkup, ministrat e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Rumanisë dhe Polonisë anuluan pjesëmarrjen e tyre në Këshillin e Ministrave, por delegacionet e vendeve si dhe disa nga ambasadorët e tyre në OSBE, megjithatë, ishin pjesëmarrës në takim.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke hapur takimin, tha se vizioni i OSBE-së ssi një platformë për siguri bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse u testua seriozisht në realitet dhe u ndje më drejtpërdrejt nga qytetarët ukrainas.
“Agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës vazhdoi me intensitet të pandërprerë dhe me pasoja shkatërruese, duke konfirmuar pajustifikimin dhe padrejtësinë e tij”, tha Kovaçevski, duke shtuar se populli i Ukrainës meriton paqe, dhe se arritja e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme mbetet imperativ.