Filloi Këshilli Ministror, Osmani: Veprat tona sot janë trashëgimi për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e OSBE-së

Duke u bërë thirrje Ministrave të Jashtëm për bashkim në angazhimet e OSBE-së, Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, hapi Këshillin Ministror të 30-të të OSBE-së, i cili gjatë këtyre dy ditëve po mbahet në Shkup.

Këshilli Ministror i OSBE-së filloi me seancën hapëse, në të cilën fjalim hyrës kishte edhe Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryesuesi Osmani në fjalimin e tij iu referua tri pikave kyçe që shënuan kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në: Mbështetjes së OSBE-së për Ukrainën që po ballafaqohet me agresionin ushtarak të Federatës Ruse, forcimit të OSBE-së dhe të ardhmes së saj si dhe kujdesit për njerëzit si fokus i punës së OSBE-së.

“Për të gjitha këto arsye, OSBE-ja duhet ta inkurajojë multilateralizmin dhe ta lehtësojë bashkëpunimin, në mënyrë që njerëzit të jetojnë të lirë. Duhet t’i përgjigjemi kësaj thirrje së bashku, sepse nuk vjen nga unë si kryesues aktual, por nga njerëzit e rajonit të OSBE-së – njerëzit dhe qytetarët e vendeve tona”, theksoi Osmani.

Duke folur për ndikimin e agresionit ushtarak rus, Osmani theksoi se krahas forcës shkatërruese,  lufta, mbi të gjitha, shkatërroi jetët e mijëra qytetarëve dhe territorin sovran të Ukrainës dhe se ajo kishte ndikim negativ mbi OSBE-në, ku detyra e saj kryesore është të paraqesë platformë për dialog që ofron zgjidhje për sfidat e sigurisë.

“Pavarësisht realitetit të zymtë të luftës me të cilën ballafaqohet Ukraina dhe konflikteve të tjera të zgjatura në rajonin më të gjerë të OSBE-së, multilateralizmi mbetet mjeti më i mirë për parandalimin e konflikteve dhe tejkalimin e dallimeve dhe kontesteve. OSBE-ja, si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, është e njohur dhe vlerësohet si partner i domosdoshëm dhe i besueshëm për paqe dhe stabilitet”, tha Osmani.

Në këtë drejtim, rëndësia dhe nevoja e OSBE-së ishte edhe më e rëndësishme dhe pikërisht për këtë një pjesë të madhe të angazhimit tim si kryesues i OSBE-së ia kushtova ruajtjes së Organizatës, shtoi Osmani.

“Prandaj jam mirënjohës që ky angazhim është përkrahur nga shumica e vendeve pjesëmarrëse dhe që Republika e Maltës do të marrë përgjegjësinë e rëndësishme për të qenë kryesuese e OSBE-së në vitin 2024”, tha Osmani.

Megjithatë, ajo që mbetet dhe që është po aq e rëndësishme sa edhe konsensusi për çështjen e Kryesuesit në vitin 2024, është zgjedhja e anëtarëve të institucioneve të OSBE-së, si dhe miratimi i buxhetit të Organizatës.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *