Zelensky: Rusia po përgatit luftë në Ballkan

Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë, ka thënë presidenti ukrainas të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, shkruan “Novinite”.

“Sot, të gjithë po diskutojnë krizën në Lindjen e Mesme. Por, siç thashë më parë, sinqerisht, nuk është problem i djeshëm. Të gjithë e dinë për këtë konflikt të vazhdueshëm dhe luftë të vazhdueshme, por askush nuk dëshiron t’i japë fund sepse është i përshtatshëm. Pas shpërthimit në Lindjen e Mesme qëndron Rusia, ne jemi të sigurt, me aleatin e saj Iranin”, ka thënë ai.

“Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime.

“Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani atë ndihmë dhe vëmendje për shumë vende, pastaj ka shumë sfida, shumë sfida humanitare. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi për të treguar se ka diçka që nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve. Të shpallen zgjedhjet jokushtetuese. Të rrëzohet sërish qeveria aktuale. Të rrëzohet qeveria pro-evropiane”, ka thënë Zelensky.

Fjalët e Zelenskyt mund të jenë të vërteta. Vetë presidenti i etnitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, prej kohësh synon dhe i ka deklaruar planet shkëputëse që do të çonin në destabilizim të Bosnjës dhe gjithë rajonit. Udhëtimet e tij gjithnjë e më të shpeshta në Moskë tregojnë se ka mbështetje për politikat e tij. Përveç lojës me integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës, Dodiku së fundmi përmendi edhe Malin e Zi.

“Serbët në këtë shekull duhet të formojnë një shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Srpska dhe Mali i Zi”, ka thënë Dodik.

Në fund të shtatorit pati një sulm të armatosur në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës parandaluan sulmin dhe konfiskuan një arsenal të tërë armësh. Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pjesëtarët e grupit paraushtarak serb që sulmuan në Banjskë kishin për qëllim aneksimin e veriut.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *