Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ju bëri thirrje të gjithë aktorëve politik që të arrijnë konsensus për datën e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe parlamentare. Ndërkohë që u shpreh i prerë se poqëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për një datë të mundshme, atëherë siç u shpreh ai me konsensus ose pa konsensus zgjedhjet do të mbahen në afatet që përcakton kushtetuta dhe ligjet e RMV-së.
“Në fund të fundit do të respektoj afatet kohore, kushtetuese dhe ligjore. Deri në fund të vitit partitë politike pjesëmarrëse në parlament duhet të dakordohen nëse dakordohen për datë të mundshme brenda afateve të parapara me kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor. Që ritheksoj edhe njëherë se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen 60 ditët e fundit të mandatit. Data e cila duhet të jetë duhet të dakordohen, nëse nuk dakordohen e përcaktoj unë, duke respektuar gjitha afatet kohore që e kam për obligim t’i respektoj. Sa u përket zgjedhjeve parlamentare afati i rregullt është brenda 90 ditëve të fundit të mandatit dhe nëse nuk dakordohen, përsëri është kompetencë dhe obligim i imë që unë të vendos konform afateve dhe përcaktimeve kohore që janë të sanksionuara në kushtetutë dhe ligj. Kështu që apeli është të kenë konsensus, nëse duan konsensus, ndërsa zgjedhjet me konsensus, pa konsensus në afatet kohore do të mbahen”, tha Xhaferi.
Ndërkohë sa u përket ndryshimeve kushtetuese kryeparlamentari Xhaferi u shpreh se nuk e ka ndërmend ta vazhdojë seancën për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se pret nga deputetët të reflektojnë, por se sa do të presë nuk precizoi. Xhaferi tha se seanca do të vazhdojë në momentin kur të njoftohet se 80 deputetë do të votonin “pro” ndryshimeve kushtetuese. /Alsat.mk