Konferenca e Parë për infrastrukturën rrugore, përvojat, sfidat, perspektivat po mbahet në Ohër për të promovuar një koncept të ri në këtë sferë, raporton KDP.
Kjo Konference u organizua nga Shoqata për ndërtimtari, industri për materiale ndërtimore dhe jometale pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe NPRRSH.
Përfaqësuesit e kompanive më të mëdha nga sfera e ndërtimtarisë kanë përshëndetur konceptin e ri të qasjes ndaj projekteve të mëdha infrastrukturore, duke theksuar mësimet e marra nga projektet e kaluara.
“Në këtë konferencë për infrastrukturën rrugore do të diskutojmë për të ardhmen, perspektivat që mundëson infrastruktura moderne rrugore, do të flasim për zhvillimin ekonomik, sigurinë në trafik dhe të gjitha përfitimet që sjell rrjeti modern rrugor. Besoj se duke shkëmbyer përvoja do të përballemi shumë më lehtë me sfidat në terren, do të shkëmbejmë mendime për përdorimin e teknologjive të reja në ndërtimin e rrugëve dhe do të zbatojmë modele të reja për planifikimin dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore”, tha Rustemi.
Para fillimit të Konferencës është lëshuar në përdorim aksi rrugor i rehabilituar Podmolje-Strugë-Qafë Thanë. Në ngjarje morën pjesë kryeministri Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoja Boçvarski dhe drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.
“Bëhet fjalë për një rrugë ndërkombëtare që lidh Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë. Ky aks rrugor është rehabilituar tërësisht në gjatësi 20.5 kilometrash me vlerë prej afër 8 milionë euro. Mjetet janë siguruara nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me realizimin i këtij projekti qytetarët do të kenë rrugë më të sigurta dhe njëkohësisht do të ndikojë në zhvillimin ekonomikë dhe të turizmit në këtë rajon”, ka theksuar Rustemi.
Midis pjesëmarrësve në konferencë janë edhe përfaqësues të kompanisë Bechtel&Enka, e cila po ndërton Korridorin 8 në Maqedoninë e Veriut.