Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të kenë takime nesër (e enjte) në Bruksel.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano një konferencë për media ka bërë të ditur se Kurti dhe Vuçiq do të kenë takime ndarëse me liderët kryesorë evropianë.
“Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano.
Ai i ka cilësuar si “mbështetje” për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë takimet e së enjtes në margjinat e samitit të BE-së.
“Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”, tha Stano.