Osmani në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së sërish në Ukrainë

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, nesër sërish do të qëndrojë për vizitë pune në Ukrainë. Vizita në Ukrainë është në kuadër të realizimit të një prej angazhimeve kryesore nga Programi i Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023. Për OSBE-në, si organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, Ukraina dhe populli i saj janë në krye të agjendës.

Në Kiev, Osmani do të zhvillojë takime me kreun e shtetit të Ukrainës. Përveç takimit, Osmani me Ministrin e Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba do të mbajë konferencë të përbashkët për media. Në agjendën e Osmanit është edhe takimi Kryetarin e Parlamentit të Ukrainës (Verkhovna Rada), Ruslan Stefançuk.

Në kuadër të qëndrimit në Ukrainë, Osmani do të bëjë edhe disa vizita në terren për t’u njohur nga afër me situatën atje, si dhe me nevojat e qytetarëve.

Osmani do të vizitojë Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, si dhe do të njihet edhe me punën e njësive të Shërbimit Emergjent të Ukrainës dhe me procesin e deminimit në terren.

Programi i OSBE-së për Mbështetjen e Ukrainës përfshin ndihmë në më shumë fusha siç janë deminimi humanitar, promovimi i shtetit të së drejtës dhe zbutja e ndikimeve të mëvonshme ekologjike dhe ekonomike të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës.

Ukraina ishte vendi i parë që Osmani e vizitoi në fillim të mandatit të tij si Kryesues i OSBE-së në janar të këtij viti. Vizita e dytë vjen si vazhdim dhe konfirmim i përkushtimit të OSBE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të zbutur pasojat për njerëzit e zonave të prekura të shkaktuara nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimet e tij në rajonin e gjerë të OSBE-së.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *