Jemi sot këtu, ne – drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive tona – Lëvizja BESA, AlternAtivA dhe Lëvizja Demokratike, për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në vigjilje të propozimit për nevojën e hapjes së kushtetutës.
Ashtu siç jemi deklaruar shumë herë, për ne nuk ka asnjë dilemë se integrimi europian është vizioni më i lartë politik, partiak e kombëtar, prej të cilit le që nuk ka luhatje, por ky përcaktim e nënkupton edhe secilin hap tonin të veprimit politik dhe bashkëpunimit me të tjerët.
Me këtë rast, derisa flasim për përcaktimin strategjik të integrimit në BE, sot jemi këtu për t’i përcjellës disa mesazhe:
Si e para, kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që urgjentisht ta hedhë në votim nevojën për ndryshimin e kushtetutës, që ta kalojmë fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe të futemi në procesin përmbajtjesor të këtyre ndryshimeve.
Pas kësaj, i bëjmë thirrje atij që të mos fshihet pas arsyetimeve të pabaza, por t’i vë procedurë edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues “20%” për gjuhën shqipe, si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik. Kohezioni ndëretnik dhe lufta kundër korrupsionit janë po ashtu vlera dhe parime europiane sa edhe detyrimi për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, në mos edhe më shumë.
Kur jemi këtu, i ftojmë të gjithë deputetët, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, etnike e ideologjike, që urgjentisht, pa diskutime dhe pa asnjë zvarritje, ta votojnë nevojën për ndryshimin e kushtetutës dhe amendamentet e propozuara! Në këtë mënyrë, ne të gjithë dëshmojmë se në cilën anë jemi dhe cili është përcaktimi ynë strategjik.
E derisa flasim për këtë votim, nëse në plan afatshkurtër nuk sigurohet shumica e nevojshme për votimin e fazës së parë të ndryshimeve kushetetuese, do të jetë e qartë se kjo përbërje parlamentare nuk ka kapacitet që t’i zhbllokojë negociatat për integrim në BE. Nëse del se kjo është e vërtetë, ne nuk duhet të humbim asnjë moment. Në atë rast, pra nëse nuk ka shumicë të mjaftueshme për ta votuar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, bëjmë thirrje që të votojmë për shpërbërje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që të kërkohet një përbërje tjetër parlamentare që do të ketë kapacitet dhe vullnet politik që t’i shtyjë proceset integruese drejt Bashkimit Europian.
Ne jemi këtu për ta mbështetur procesin dhe për ta bërë betejën me të gjithë ata që e pengojnë këtë rrugë, qoftë duke e zvarritur, siç po bën pushteti, ose duke aktruar refuzimin, siç bëjnë disa parti opozitare.
𝐁𝐢𝐥𝐚𝐥𝐥 𝐊𝐚𝐬𝐚𝐦𝐢, 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐢 𝐋𝐞̈𝐯𝐢𝐳𝐣𝐞𝐬 𝐁𝐄𝐒𝐀
𝐀𝐟𝐫𝐢𝐦 𝐆𝐚𝐬𝐡𝐢, 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐢 𝐀𝐥𝐭𝐞𝐫𝐧𝐚𝐭𝐢𝐯𝐞̈𝐬
𝐈𝐳𝐞𝐭 𝐌𝐞𝐱𝐡𝐢𝐭𝐢, 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐢 𝐋𝐞̈𝐯𝐢𝐳𝐣𝐞𝐬 𝐃𝐞𝐦𝐨𝐤𝐫𝐚𝐭𝐢𝐤𝐞