Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po vijon prej orësh tashmë në det, teksa autoritetet kanë shpëtuar më shumë se 100 persona, ndërsa qindra të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Ajo që e bën edhe më të vështirë këtë operacion është pasi nuk dihet numri i saktë i emigrantëve që udhëtonin në varkën e peshkimit, por dyshohet se mbi të kanë qenë të paktën 600 persona.
Autoritetet e Rojes Bregdetare të Greqisë dhe helikopterë po patrullojë në vendngjarje, teksa ky rast i mbytjes së varkave me emigrantë është më i rëndi për këtë vit.
Varka u pikas të martën nga Frontex, në ujërat ndërkombëtare, rreth 80 kilometra në jugperëndim të qytetit grek Pilos. Autoritetet e Rojes Bregdetare te Greqisë thanë se një numër i madh emigrantësh që gjendeshin në kuvertë, refuzuan ndihmën.
Televizioni shtetëror grek ERT njoftoi se varka që po lundronte drejt brigjeve italiane, ishte nisur nga qyteti i Tobrukut të Libisë. Shumica e emigrantëve që ndodheshin në të, ishin djem të rinj në të njëzetat.