Kthimi i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për qytetarët me skanimin e llogarive fiskale përmes aplikacionit “TVSH-ja ime” rritet nga 1.800 në 2.100 denarë për një tremujor, transmeton Portalb.mk.
Deputetët dje pasdite i kanë votuar ndryshimet ligjore me të cilat rritet kufiri, ndërsa lajmin në rrjetet sociale e ka vlerësuar drejtoresha e Drejtorisë së të hyrave publike, Sanja Lukarevska.
“Deputetët i dhanë dritën jeshile ndryshimeve dhe shtesave në Ligjin për kthimin e një pjese të TVSH-së personave fizikë. Me këtë ndryshim mund të rritet pragu për rikthim të një pjese të TVSH-së nga 1800 denarë në 2100 denarë për një tremujor. Shfrytëzuesit e aplikacionit “TVSH-ja Ime’ do t’i marrin shumat e para të shtuara me pagesat në muajin maj për llogaritë e skanuara fiskale në periudhën janar – mars 2023”, tha Lukarevska.
Ndryshimet ligjore për rritjen e kufirit kaluan në seancën e Qeverisë në fund të dhjetorit 2022, por u ngecën në Kuvend.
Këto ndryshime priten tashmë tre muaj, përkatësisht që në seancën 115-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të mbajtur në fund të dhjetorit të vitit 2022, kur edhe u vendos që të rritet vlera e mjeteve të kthyera te qytetarët përmes aplikacionit “TVSH-ja Ime”.
Masa e kthimi të 15% nga TVSH-ja e përllogaritur zbatohet që nga 1 korriku i vitit 2019, dhe siç u tha atëherë është në dobi edhe të qytetarëve edhe të shtetit. “Kjo masë gjithashtu do të ndihmojë në uljen e ekonomisë gri”, thanë atëkohë nga DAP-i.