Në UT u promovuan 5 librat të prof.doc. Faton Shabani

Në Universitetin e Tetovës u promovuan pesë vepra shkencore nga fusha e drejtësisë të autorit Prof. Dr. Faton Shabani. E drejta afariste; Falimentimi; E drejta afariste ndërkombëtare; Zgjidhja jashtëgjyqësore e kontesteve dhe Pasojat juridike nga mospërmbushja e kontratës për shitjen ndërkombëtare të mallrave, janë titujt e pesë veprave të cilat janë produkt i punës shumëvjeçare të autorit dhe i veprimtarisë së tij hulumtuese-shkencore ndër vite.

Në emër të Universitetit të Tetovës, të pranishmëve me fjalë përshëndetëse iu drejtua dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai tha se, titujt e publikimeve kanë të bëjnë me studime nga sfera e drejtësisë në lëmin e së drejtës civile dhe autori guximshëm ka shqyrtuar tematika të cilat vërtet paraqesin mangësi në kuadër të literaturës së tërësishme nga kjo sferë. “Në botimet përkatëse shtjellohen situatat e krijuara nga mospërmbushja apo përmbushja e parregullt e detyrimeve kontraktuese nga njëra apo të dyja palët kontraktuese në kontratën për shitjen e mallrave me karakter ndërkombëtar. Mjetet juridike konsiderohen thelbi i së drejtës kontraktuese, mungesa e të cilave pamundëson të pasurit e një të drejte kontraktuese efikase kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë: të drejtën për të kërkuar përmbushje, të drejtën për përmirësim të përmbushjes, për zvogëlim të çmimit, për shkëputje të kontratës dhe të drejtën për kompensim të dëmit”, theksoi Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Recensentja e librit “E Drejta afariste ndërkombëtare”, Prof. Dr. Heidi Frostestad Kuehl nga Kolegji i Drejtësisë nga Universiteti i Illinoisit Verior, SHBA, në pamundësi për të qenë e pranishme në këtë ngjarje, përmes një telegrami shprehu vlerësimet e saj rreth librit në fjalë. “Vlerësova vërtet organizimin e shkëlqyeshëm, përmbushjen e qëllimit të librit dhe përfshirjen e plotë të temave dhe nëntemave, që shpesh janë sfida të së drejtës afariste ndërkombëtare.

Libri i profesor Shabanit është thelbësor, si për kuptimin historik dhe zhvillimin e kësaj arene të transaksioneve të biznesit ndërkombëtar, po ashtu edhe për strukturën aktuale të ligjeve dhe të organizatave ndërkombëtare qeverisëse për të drejtën afariste ndërkombëtare. Teksti i tij jep detaje të rëndësishme për mbulimin shkencor të institucioneve kryesore të së drejtës afariste ndërkombëtare, si Konferenca e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (“ICC”), UNIDROIT, UNCITRAL, BE dhe OBT, dhe më pas gjithashtu trajtohet nevoja për njësueshmëri në të drejtën ndërkombëtare të kontratave dhe shitjes së mallrave”, thuhej ndër të tjera në telegramin e Prof. Dr. Heidi Frostestad Kuehl.
Vlerësimet e tyre për librat e Prof. Dr. Faton Shabanit i paraqitën recensentët, Prof. Dr. Jadranka Daboviq nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”- Shkup dhe Prof. Dr. Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë. Ata e vlerësuan lartë punën voluminoze të autorit Prof. Dr. Faton Shabani, i cili sipas tyre, në mënyrë shumë profesionale e ka zbatuar në përpikëri metodën shkencore, dhe ka shfrytëzuar një numër të konsiderueshëm të burimeve të huaja që kanë të bëjnë me fushat përkatëse. Profesoresha universitare, Jadranka Dabovic, tha se ndjehet krenare që autori i librave të sipërpërmendur studimet e doktoratës i ka kryer në Universitetin ku ajo punon.

Ndërkaq, Prof. Dr. Osman Kadriu u shpreh se, që nga periudha e studimeve të ciklit të parë autori Prof. Dr. Faton Shabani ka qenë studentë i dalluar, pastaj me të njëjtin përkushtim ka vijuar edhe studimet e ciklit të dytë dhe ato të cilit të tretë. Sipas tij, këto botime do të jenë një ndihmesë e madhe jo vetëm për studentët dhe komunitetin akademik, por edhe për institucionet e drejtësisë në vendin tonë dhe më gjerë.

Autori Prof. Dr. Faton Shabani tha se finalizimi i pesë librave është fryt i një pune dhe veprimtarie sistematike dhjetëvjeçare; i një studimi të gjatë dhe i një ngulmimi të shoqëruar me mund e përkushtim. “Ata që shkruajnë libra e njohin peshën e lodhjes, të trazimeve e dilemave të përhershme e sfilitëse që e shoqërojnë autorin deri në çastin e përfundimit të tyre. E njohin gjithashtu edhe pasionin e pashpjegueshëm që një autori i jep forcën dhe durimin në punën e tij hulumtuese e shkencore. Pas çdo finalizimi të një pune kërkimore, hulumtuese, studimore, shkencore, që domosdoshmërish kërkon disiplinë, durim, thellim, studim dhe metodë, jo vetëm harrohen mundimet paraprake, por lind edhe motivi i ri për projekte të reja. Librat që promovohen sot janë formësuar të shtyrë edhe nga detyrimi profesional, për t’i ofruar lexuesit përmbajtje që i mundësojnë përfitim dijesh të reja nga shkenca e drejtësisë. Pesë librat, në rend të parë, janë tekste universitare dedikuar studentëve dhe kolegëve, që janë pjesë e procesit akademik, por edhe për hulumtuesit dhe praktikuesit e drejtësisë afariste. Shtytja e përhershme për ta jetësuar këtë projekt studimor është nxitur nga motivi që kategorive të lartpërmendura dhe jo vetëm, t’u sigurohen tekste të përditësuara, të strukturuara dhe gjithëpërfshirëse në mbulimin e çështjeve juridike me interes. Qëllimi parësor i kësaj pune të prezantuar sot ka qenë që shkencës së drejtësisë t’ia japim hakun duke ia ofruar literaturën që përmban arritjet dhe gjetjet më bashkëkohore. Këtë e kemi realizuar nëpërmjet ciklit prej pesë veprave me 3200 faqe të recensuara me kompetencë nga shtatë recensentë. Tërësinë e librave e veçon qasja shumëdimensionale e trajtimit: ajo teorike, empirike, legjislative (kombëtare e ndërkombëtare), procedurale (gjyqësore e jogjyqësore), praktike, analitike – sintetike, induktive-deduktive, krahasuese dhe historike”, tha Prof. Dr. Faton Shabani.

Ai, më tutje theksoi se pjesë përbërëse e librave janë edhe dy lloje shtojcash, që synojnë të jenë mjete ndihmëse operative për zbatimin efektiv dhe efikas të legjislacionit afarist. “Libri Pasojat juridike nga mospërmbushja e kontratës për shitjen ndërkombëtare të mallrave është teza e punuar dhe e mbrojtur publikisht si doktoraturë. Ajo është përpunuar, përshtatur dhe formalizuar në aspektin metodologjik. Teksti është sistemuar në gjashtë krerë dhe me mbështetje dokumentuese në 159 libra, 31 akte juridike dhe në analizimin e 142 vendimeve gjyqësore dhe të arbitrazhit. Libri “E drejta afariste ndërkombëtare” përqendrohet në trajtimin e aktualitetit dhe të sfidave me të cilat përballet kornizimi juridik i afarizmit ndërkombëtar, por edhe te tendencat dhe vizioni drejt të cilit synon të hapërojë ky kornizim. Bartës të këtij procesi, krahas shteteve janë edhe organizmat ndërkombëtare, mes të cilave: Konferenca e Hagës për të Drejtën Private Ndërkombëtare, Organizata Botërore e Tregtisë, Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, UNIDROIT dhe UNCITRAL. Libri “Zgjidhja jashtëgjyqësore e kontesteve”, në bashkautorësi me Drita Fazliun, i shtjellon mënyrat kryesore jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, që globalisht njihet si zgjidhja alternative e kontesteve, e ndërthurur me të drejtën publike dhe atë private.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *