Nis takimi “i nxehtë” Kurti-Vuçiq në Bruksel

Ka nisur takimi trepalësh në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ky takim pasoi pas takimeve veç e veç të Kurtit dhe Vuçiqit, më herët gjatë së hënës.

Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia, por ai nuk është prezantuar asnjëherë në publik.

Në një draft i këtij plani që ka qarkullar në media, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Kurti, të dielën ka pranuar një letër të përbashkët edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin Evropian.

Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

Por çfarë do të ndodhte nëse plani evropian do të refuzohej nga Kosova dhe Serbia?

Sipas Lajçak refuzimi i propozimit evropian do të thotë refuzim i normalizimit të marrëdhënieve dhe refuzim i rrugës evropiane.

“…Ndaj kësaj do të reagonin SHBA-ja, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja, dhe nuk dua të hyj në atë se cilat do të ishin pasojat negative. Mendoj se është e qartë për të gjithë se nuk duhet t’i themi ‘jo’ Bashkimit Evropian dhe Amerikës, veçanërisht nëse në këtë mënyrë mund të arrijmë stabilizimin, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, stabilizimin e atmosferës në Ballkan dhe një rrugë të përshpejtuar evropiane”, bëri të ditur i dërguari special i BE-së.

Çka parasheh udhërrefyesi i zbatimit?

Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pos marrëveshjes bazë përmban edhe planin e zbatimit.

Përmbajtjen ekskluzive të këtij dokumenti e ka siguruar Dukagjini.

Aty parashihet që jo më vonë se 15 ditë pasi palët të nënshkruajnë marrëveshjen bazë, ekipi menaxhues duhet të paraqesë draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Një gjë e tillë do të mundësojë që palët të lëvizin drejt hapave të tjerë, siç është njohja reciproke e dokumenteve.

Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje thuhet se të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Po ashtu, palët do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *