Intervistë me Adelina Rashidi, psikologe e specializuar në Art terapi, lloj i psikoterapisë bazuar ne art dhe krijimtari.
Info7.mk: Kush është Adelina Rashidi ?
Adelina Rashidi: Është një vajzë e studimeve të një fushe procesi i së cilës është i pambarueshëm, siç janë shkencat sociale përkatësisht psikologjia.
Adelina është ABA terapiste (Analiza e Sjelljes së Aplikuar) e cila aktualisht punon me fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit dhe jo vetëm. Jam e specializuar në Art Terapi, lloj i psikoterapisë bazuar ne art dhe krijimtari. Në qendrën ku punoj Vis Mentis, roli im si psikologe/terapiste është vëzhgimi i sjelljes së fëmijës, vlerësimi dhe përpilimi i programit të posaçëm për fëmijën nën mbikëqyrjen e mentorit tonë.
Info7.mk: Sa profesional është ekipi me të cilin punoni Ju ?
Adelina Rashidi: Ne si ekip, udhëhiqemi nga mentori ynë Migjen Amzai, psikoterapeut, i cili kontrollon punën tonë. Njomza Beqiri, psikologe klinike njëkohësisht terapiste e zhvillimi dhe art terapise dhe Fatime.Z e cila po ashtu është psikologe. Qendra jonë përbëhet dhe nga edukatorë special, Azra.M, Enisa.B Xhenisa.Sh dhe Elmira.B të cilat janë përgjegjës për punën me dëmtimet më të thella tek fëmijët.
Info7.mk: Sa është e vështirë për një psikologe të punojë me fëmijë me nevojat të veçanta ?
Adelina Rashidi; Kur e do fëmijën, të punosh me të është ndër profesionet më të bukura. Puna që ne e bëjmë do dashuri, empati, humanizëm dhe shumë durim. Pa këto cilësi nuk është e lehtë asgjë. Nga një këndvështrim tjetër puna me fëmijë me nevoja tw veçanta do shumë përgjegjësi, kujdes dhe vëmendje. Në momentin që fëmijën e sheh si një nga qeniet më të çiltra dhe bën çdo gjë me dashamirësi, progresi i tyre automatikisht pëson ngritje. Kjo është ajo që kemi mësuar në qendrën tonë, mbase mund të quajmë sekreti ynë.
Info7.mk: Cila është metoda më efikase që përdorin psikologet për të trajtuar këtë kategori të fëmijëve ?
Adelina Rashidi: Efikasiteti i punës apo përdorimi i metodave të ndryshme dallon tek çdo fëmijë.Te secili fëmijë nuk mund të funksionojë e njëjta metodë. Jo rrallë herë ndodh që të kombinojmë disa metoda varësisht tipit të fëmijës. Puna jonë është që fillimisht të njohim fëmijën, të vëzhgojmë atë dhe më pas të vendosim për metodën e punës.
Ndër më të njohurat është Aba, sepse është më e testuar nga terapistët dhe po që funksionon, mirëpo jo edhe më e preferuara nga ne. Në fund të ditës fëmija nuk ka nevojë vetëm të mësojë fjalë të reja ne mënyrë robotike e të mësojë si duhet të sillet. Fëmija do shpirt, do lojë dhe prezencën tonë. Ne më shumë preferojmë terapinë e lojës ku përmes saj edhe mësojmë, por edhe luajmë. Në këtë formë fëmijës seanca nuk do i bëhet e bezdisshme e njëkohësisht edhe ne arrijmë objektivat e vendosura. Ndërveprimi që kemi me fëmijën nëpërmjet terapisë së lojës nxit kapacitetet e tyre zhvillimore dhe njëkohësisht na jep informacion për gjendjen e tyre emocionale. Kjo terapi rekomandohet dhe për fëmijët që janë përballur me situata të vështira dhe për ata që shfaqin simptoma të ankthit, depresionit dhe përqendrimit të ulët. Terapia e artit po ashtu nuk ngelet pas në qendrën tonë, me anë të së cilës interpretohen, shprehen dhe rregullohen emocionet dhe mendimet. Terapia e artit gjen zbatim në atë që nuk mund të flitet, e sidomos me fëmijët që ende nuk mund të shprehin emocionet dhe ndjenjat e tyre me fjalë. Muziko terapia është po ashtu e pranishme në qendrën tonë. Jemi pro që të krijojmë ambient të tillë ku fëmijët të ndjehen si në shtëpi e të mos kenë asnjë mungesë.
Info7.mk : Ju keni një përvojë të gjatë, mund të shkëputni disa momente më të vështira dhe më të lumtura nga puna?
Adelina Rashidi; Momente të vështira ka në çdo profesion, e sidomos në atë me fëmijë. Është shumë e vështira lufta me veten që kemi në momentet ku duhet të menaxhojmë mirë emocionet tona. Të qëndruarit indiferent ne situata te caktuara, të fshehim shqetësimin që mund të na reflektojë në fytyrë e çdo lloj emocioni negativ me qëllim që të mos e përcjellim te fëmija e te ketë përforcim negativ.
Tantrumet që shpërthejnë herë pas here janë një pjesë shumë e vështire, ku duhet të përballesh e të bësh ndarjen midis emocionit dhe logjikës. Të dhemb ajo që sheh e do me çdo kusht ti ndihmosh. Të shohësh fëmijën në atë gjendje, nuk mund të shpjegojmë dhimbjen që përjetojmë. Për momente të lumtura mund të shkruaj pafund. Ajo që e kisha veçuar janë momentet kur luftojmë me muaj, ditë, vite që fëmija te nxjerrë qoftë dhe një fjalë, një tingull, te formojë një fjali dhe fëmija na surprizën në mënyrën më te bukur. Progresi që vërejmë gjate punës është nga momentet me të gëzuara që përjetojmë.
Info7.mk: Raporti prind-fëmijë sipas Jush sa ndikon në përmirësimin e gjendjes së fëmijës ?
Adelina Rashidi: Që fëmija të ketë progres, pa diskutim që raporti duhet të jetë Prind-Fëmijë-Terapiste. Shpesh herë prindit janë në mohim të gjendjes së fëmijës dhe nuk bashkëpunojnë, gjë që vështirëson punën tonë. Seancat tona individuale zgjasin nga një orë, pjesa tjetër e kohës i ngelet prindit. Kontributi i dhënë për përmirësimin e fëmijës nga ana e prindit dhe terapia duhet të jetë 50/50. Prindit po ashtu pajisen me planin individual të fëmijës që duhet të shkojë në hap me punën tonë, në të kundërtën gjithçka është e kotë, sidomos në rastet kur prindi nuk bashkëpunon fare me terapeutistin dhe nuk është i sinqertë në lidhje me fëmijën e vet.
Info7.mk; Tek ne ka një mungesë të trajtimit institucional për këtë kategori të fëmijëve. Ju si organizatë a keni pasur ndonjëherë mbështetje institucionale ?
Adelina Rashidi: Nuk mund të themi që nuk ekziston një mbështetje institucionale, ndoshta para disa viteve. Tani ne mund të themi se jemi vetëdijesuar për sa i përket shëndetit mental.
Inkluzioni në shkolla dhe kyçja në punë si asistent/ psikolog dhe edukator special për femijët ndryshe ka sjelle në vendin tonë një frymë ndryshe.
Ne si organizatë kemi pasur mbështetje nga komuna e Tetovës ndër vite. Gjithashtu mbështetje kemi pasur dhe kemi nga organizatat e huaja. Por dua të theksoj një ndër donatorët kryesor ku falë tyre ne posedojmë mjetet më të mira e më të rreja për punë me fëmijë, z. Ahmet Hoçaoglu (Qendra Sobe -Turqi). Mund të theksoj rastin kur Galeria e Arteve pamore në Tetovë na përkrahën me shumë dashuri dhe financuan projektin tonë që realizuam në kuadër te 2 Prillit( Dita për ndërgjegjësimin e Autizmit) ku piktura të realizuara nga fëmijët e qendrës tonë nën moton “Edhe unë jam Artist” u shfaqën në Galerinë e Arteve.
Info7.mk: Bashkëpunimi juaj me organizata të këtij lloji ?
Adelina Rashidi: Kolegji AAB është një ndër hapësirat që ka lejuar student të tyre të ndjekin ligjërata mbi Art terapinë në amfiteatrot e tyre dhe po ato student kanë vazhduar trajnime afatgjate në qendrën tonë, të organizuara nga Migjen Amzai dhe Will Davis. Body psychotherapy është trajnimi më i ndjekur ne qendrën tonë, ku tani më kemi edhe terapitë të rri të cilët e praktikojnë këtë terapi në qendrat e tyre. Janë të shumtë profesionistët të cilët kanë bashkëpunuar me qendrën tonë, ku edhe ndajmë bashkë përvoja e hapësira.
Info7.mk: Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë që të kemi një pasqyrë më të saktë në këtë drejtim?
Adelina Rashidi: Ne si vend kemi nevojë edhe për ndryshime më drastike, siç mund të jetë hapja e një qendre ku fëmijët do ti kishin seancat e paguara nga vet shteti, e jo personale sepse e vërteta është që ato kushtojnë shumë dhe është e vështirë për një familje ta përballojë atë. Të organizohen më shumë trajnime ku të marrin pjesë dhe moshat e mesme, të informohen për sëmundje e çrregullime të ndryshme. Por edhe moshat e reja, sepse ne qoftë se ata do të informohen, atë do ta transferojnë tek fëmijët e tyre pasi që jo çdo fëmijë është i njëjtë dhe se te gjithë duhet të jemi pjesë e një shoqërie. Nëse kjo gjë do të mund të arrihet, termi bullizëm ndoshta do ishte zhdukur nga fjalori jonë.