Tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri, ku sipas të dhënave të fundit kanë humbur jetën rreth 46 mijë persona, pastaj tërmetet në Rumani dhe rajon, mund të krijojnë përshtypjen se dridhjet e tokës janë bërë më të shpeshta vitet e fundit.
Të paktën në këtë pjesë të botës, nëse jo kudo. Por, çfarë thonë të dhënat dhe shkenca për të?
Sa tërmete priten në vit?
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) shpjegon se ndonjëherë mund të duket se numri i tërmeteve në një periudhë kohore është rritur, sepse ka luhatje të shifrave të tërmeteve. Me fjalë të tjera, në një vit të caktuar mund të ndodhin më shumë tërmete sesa mesatarja.
Sipas të dhënave afatgjate (rreth vitit 1900), në botë priten të ndodhin mesatarisht rreth 16 tërmete të mëdha në vit. Këto përfshijnë 15 tërmete me magnitudë 7.0 ballësh të Rihterit dhe një tërmet me magnitudë 8.0 ose më shumë.
Të dhënat e USGS tregojnë se në 40-50 vitet e fundit, numri mesatar i tërmeteve të mëdha është tejkaluar dhjetë herë. Viti me numrin më të madh të tërmeteve ishte 2010-ta, gjegjësisht 23 tërmete të tilla të mëdha (më të mëdhenj ose të barabartë me magnitudën 7.0).
Gjatë viteve të tjera, numri i përgjithshëm ishte nën mesataren vjetore afatgjate prej 16 tërmetesh të mëdha. Për shembull, në vitin 1988 kishte vetëm 7 dhe në 1989 vetëm 6 sosh.
Pse duhet të ulet numri i tërmeteve në planin afatgjatë?
Tërmetet shkaktohen kryesisht nga lëvizja e pllakave tektonike të Tokës. Kjo lëvizje është shkaktuar kryesisht nga nxehtësia si iniciator i proceseve të ndryshme në brendësi të planetit tonë.
Kur sistemi diellor u formua rreth 4.6 miliardë vjet më parë, tërheqja gravitacionale e trupave në hapësirë shkaktoi grumbullimin, domethënë akumulimin e pluhurit, gurëve dhe trupave të tjerë në objekte gjithnjë e më të mëdha, nga të cilat planetët, përfshirë Tokën, ishin formuar.