Barcelona e ka forcuar pozitën e parë në tabelë me një fitore komode (2-0) ndaj Cadizit në Camp Nou, në ndeshjen e javës së 22 në La Liga.
Në minutat e para të sfidës, mysafirëve iu anulua një gol i Roger Martit për pozitë jashtë loje. Në vijim Ferran Torres e pati një mundësi të mirë shënimi që nuk e konkretizoi.
Një depërtim i mrekullueshëm i Ferran në anën e djathtë të zonës dhe harkoi në qendër te Robert Lewandowski, i cili goditi me kokë, por intervenoi portieri Jeremias Ledesma për ta dërguar topin deri te Sergi Roberto, ndërsa ky i fundit e zhbllokoi rezultatin (43’).Nuk zgjati shumë dhe erdhi goli i dytë i vendasve. Pas një aksioni të ndërtuar mirë, Roberto pasoi te Lewandowski, i cili e dyfishoi epërsinë (45’+1).
Sulmuesi polak e goditi transversalen në pjesën e dytë, ndërsa Roger Martit iu anulua një tjetër gol, kësaj radhe për ndërhyrje të palejuar.
Në vijim, vizitorët krijuan disa raste shënimi, mirëpo nuk ia dolën ta futnin topin në rrjetën e Marc-Andre ter Stegen.
Falë kësaj fitoreje, Barcelona ka tetë pikë më shumë se përcjellësi i parë në tabelë, Real Madrid. Cadizi qëndron një pozitë mbi zonën e rrezikut me dy pikë më shumë se Valencia (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar).